Aktualitet

16 ditë rezistencë, por ende asnjë zgjidhje! Euronews Albania brenda ambientit ku ndodhen naftëtarët grevistë

Përditësimi i fundit: 13/10/2020 - 14:13
Text size Aa Aa

Naftëtarët e Ballshit prej 16 ditësh ndodhen të ngujuar në grevë urie, ndërsa kërkojnë pagat e prapambetura. Këtë të martë protestës së naftëtarëve iu bashkua edhe Sindikata e Fermerëve. Ata tentuan të hyjnë me forcë në ambientet e rafinerisë, por përpjekja e tyre hasi në rezistencën e policisë private.

Gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji, pas protestës së naftëtarëve ka mundur të hyjë brenda ambientit ku janë ngujuar naftëtarët e tjerë grevistë, ndërsa thotë se ata janë të vendosur për të vijuar rezistencën e tyre deri në zgjidhjen e problemit.

Gazetari Salianji thotë se një numër i konsiderueshëm i naftëtarëve të Ballshit janë të gatshëm t’i bashkohen grevës së urisë, e cila vijon prej 16 ditësh, pavarësisht se nuk ka asnjë përpjekje konkrete për të zgjidhur shqetësimin e tyre.

“Grevistët kërkojnë 26 pagat e prapambetura. Naftëtarët shprehen të vendosur për ta vijuar deri në fund grevën e urisë derisa problemi i tyre të marrë zgjedhje. Kolegët e tjera të naftëtarëbe u shprehën se në rast se nuk do të ketë zgjidhje, ata do t’i bashkohen grevës së urisë dhe numri i naftëtarëve do të rritet. Protesta është thirrur nga Sindikata e Naftëtarëve të Ballshit”, tha gazetari.

Policia Private u konfrontua me kreun e Sindikatës së Naftëtarëve të Ballshit Sokol Dautajt, ndërkohë ky i fundit edhe pse ishte në gjendje të rënduar ka bërë një komunikim të shkurtër për mediat, ku mes tjerash u shpreh se:

“Ata janë në të drejtën e Zotit që ta ruajnë atë rafineri po unë di të them kaq, pronarët e kësaj rafinerie janë naftëtarët. Kush i sheh këto pamje dhe nuk reagon është turp për ta. Unë, ditën e nesërme, do ta shihni që do të jenë gjithë naftëtarët këtu në shesh”, u shpreh Dautaj.

Naftëtarët thonë se do të vijojnë protestat, ndërsa nesër pritet t’iu bashkohen edhe Sindikata e Bujqësisë së rrethit Lushnje dhe Fier. Euronews Albania ka mësuar motivin kryesor, i cili i shtynë naftëtarët të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh.

“Naftëtarët kanë paralajmëruar një protestë tjetër, ndërsa u shprehën se numri i tyre do të jetë më i madh. Ata do të jenë të mbështetur nga Sindikata e Bujqësisë e rrethit Lushnje dhe Fier, dhe do të kërkojnë të hyjnë sërish në ambientet e rafinerisë së Ballshit për të treguar se aty nuk ka një kompani që menaxhon rafinerinë e Ballshit, por prej një viti e gjithë rafineria është në mëshirën e kushteve të natyrës. Ky është qëllimi i naftëtarëve dhe kjo është arsyeja se pse ata kërkojnë të hyjnë në rafineri”, shtoi gazetari Salianji. 

Lexoni gjithashtu: 

Naftëtarët tentojnë të hyjnë me forcë në rafineri, përplasen me policinë private