Aktualitet

Përfundon takimi i naftëtarëve me administratorët e rafinerisë, nuk pranohet asnjë nga kërkesat

Përditësimi i fundit: 14/10/2020 - 16:30
Text size Aa Aa

Ka përfunduar pa rezultat takimi mes administratorëve të rafinerisë së Ballshit dhe Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, takim që u zhvillua të mërkurën.

Një përfaqësi e naftëtarëve, e kryesuar nga kryetari i sindikatës, Sokol Dautaj, zhvilloi sot në Fier një takim me përfaqësuesit e kompanisë që administron rafinerinë, mirëpo siç raportoi gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji, asnjë nga kërkesat e naftëtarëve nuk është marrë parasysh.

Prej dhjetëra ditësh ata kanë kërkuar me një grevë urie shlyerjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri, kërkesa që nuk kanë gjetur zgjidhje nga takimi i sotëm me administratorët.

Rafineria e Ballshit administrohet nga kompania Allum Enterprises, e cila për vitin 2019, sipas bilancit të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit pati mbi 36 milionë lekë humbje. Në bilancin në fjalë, Allum Enterprise pati deklaruar 202 milionë lekë të ardhura nga “aktiviteti i shfrytëzimit” ndërsa rreth 17 milionë lekë “shpenzime personeli”.

Ditën e sotme naftëtarët hynë me forcë në rafineri ku dhe bënë një inspektim në ambientet e brendshme të uzinës. Dautaj në një deklaratë për mediat tha se rafineria ka disa dyer dhe Policia Private nuk do të mund t’i ndalonte teksa sqaroi se hyrja me forcë ishte simbolike për të treguar se brenda ambienteve nuk ka asnjë punonjës.

"Takimi është kërkuar nga kompania që ka nën administrim rafinerinë dhe naftëtarët do të shkojnë të takohen në ambientet e zyrave të kësaj kompanie”,- raportoi në mesditë për Euronews Albania, gazetari Renaldo Salianji.

Kreu i Sindikatës, Dautaj, qe shprehur se nuk do të merrte asnjë vendim pa e diskutuar më parë me protestuesit ndërkohë që ka komunikuar me naftëtarët për të zgjedhur përfaqësinë që do të negocionte gjatë takimit.

*Lajmi i përditësuar në 16:30 

 

Lexoni gjithashtu: 

Naftëtarët e Ballshit mësyjnë mjediset e rafinerisë, kërkojnë takim me kompaninë që administron uzinën

16 ditë rezistencë, por ende asnjë zgjidhje! Euronews Albania brenda ambientit ku ndodhen naftëtarët grevistë

Tregime të lidhura