Aktualitet

“Jemi pa bukë, s'reagon askush”, apeli drithërues i naftëtares greviste drejtuar Metës, Ramës dhe Ruçit

Përditësimi i fundit: 16/10/2020 - 16:26
Text size Aa Aa

Pavarësisht se ditët kalojnë, autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë një zgjidhje për naftëtarët e uzinës së Ballshit, të cilët prej ditësh vijojnë të jenë më grevë urie.

Naftëtaret e Ballshit, të cilat një ditë më parë u futën në grevë urie duke zëvendësuar kolegët e tyre thonë se situata e tyre ekonomike është e rënduar, ndaj kërkojnë zgjidhje urgjente nga shteti shqiptar.

Njëra prej naftëtareve greviste, znj. Mimoza Muhametaj i tha Euronews Albania se janë të sëmura dhe nuk kanë para të marrin as ilaçet. Ajo iu drejtua me një apel direkt kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar ta marrë situatën në dorë dhe të gjejë një zgjidhje të shpejtë, pasi siç tha ajo, naftëtarët janë të vendosur për të vijuar grevën deri në vetëflijim.

“Jemi në ditën e dytë të grevës së urisë, jemi midis stresit dhe dhimbjes. Na dhemb shpirti, sepse kemi 36 vjet që punojmë në uzinë dhe jemi të varfër. Qytetin tonë e ka pllakosur varfëria. Jemi të sëmura dhe nuk arrijmë dot t’i marrim ilaçet. I lutem atij kryeministrit, që është shprehur mbrëmë se gratë janë futur për të bërë show, nuk jemi për show, por jemi të detyruara për bukën e gojës. Show bën ai atje dhe jo ne”, theksoi ajo.

Ajo u shpreh se për shkak të pamundësisë ekonomike rrezikojnë të heqin edhe fëmijët nga shkolla.

“Ne jemi të vendosura dhe do të qëndrojmë deri në fund. Pa marrë zgjidhje, ta harrojnë të gjithë se nuk dali. Do qëndrojmë deri në fund. Kemi 26 paga që s'i kemi marrë, kemi 13 paga të fituara me gjyq. Fëmijët i kemi në shkollë, por do t'i heqim nga shkolla. Ka kosto të lartë shkolla. Ne do të qëndrojmë deri sa të marrim zgjidhje. Po kërkojmë gjakun, mundin tonë dhe nuk po kërkojmë lëmoshë”, tha ajo.

Apeli i naftëtares greviste për zgjidhjen e problemit nuk ishte vetëm për kryeministrin Rama, por edhe për Kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin dhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

“I bëjmë thirrje kryeministrit se na ka lënë në harresë. Jemi të nëpërkëmbur si naftëtarë. Gjithë kohën Mallakastra ka qenë e majtë, është turp kush e dëgjon, që ne jemi pa bukë sot. I lutemi dhe kryetarit të Parlamentit, presidentit Ilir Meta. Si nuk reagon asnjë?!”, tha ajo.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama në një komunikim me mediat tha se qeveria shqiptare po punon për gjetjen e një zgjidhjeje, por deri sot nuk ka asgjë konkrete.