Aktualitet

Atentat në Vlorë, ekzekutohet biznesmeni

Përditësimi i fundit: 17/10/2020 - 09:25
Text size Aa Aa

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në Himarë të Vlorës, ku raportohet se një biznesmen ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Viktima është Niko Goro, i cili ishte biznesmen në fushën e ndërtimit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shëtitoren në qendër të Himarës ndërsa biznesmeni ishte duke bërë xhiron e mëngjesit. Niko Goro gjithashtu rezulton se ka në pronësi dhe një hotel në vijën bregdetare të Vlorës.

Pak minuta pas ngjarjes drejt Vlorës janë nisur efektivë të Delta Forcë dhe efektivë të Policisë së Sarandës. Deri tani, policia ka bërë shoqërimin e disa dëshmitarëve okularë ndërsa mbeten ende të paqarta rrethanat e atentatit.

Sipas informacionit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:55 minuta në vendin e quajtur rreth rrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë. Autori ka lënë të vdekur në vend biznesmenin 51-vjeccar ndërsa është plagosur motra e tij 57 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor  Himarë -  Borsh e Himarë – Vlorë, ndërsa në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.