Aktualitet

Ekskluzive: Kuadri negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Përditësimi i fundit: 05/11/2020 - 12:11
Text size Aa Aa

Pas diskutimeve të gjata, prej disa muajsh, mbi kuadrin e negociatave për anëtarësimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, presidenca gjermane e BE-së i ka paraqitur të mërkurën 26 vendeve të tjera anëtare draftin përfundimtar, me propozimin për ta pranuar siç është ose për ta rrëzuar, para shqyrtimit nga ministrat e çështjeve evropiane në Këshillin e 10 nëntorit.

Euronews Albania ka siguruar dokumentin konfidencial, i cili nëse do të miratohet, pritet të publikohet vetëm pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, për të cilën presidencia ende synon ta zhvillojë për të dyja vendet, në muajin dhjetor.

Sipas burimeve të Euronews Albania pranë përfaqësuesve të vendeve anëtare që marrin pjesë në këto bisedime, nëse ky dokument do të pranohet, vendimi për Maqedoninë e Veriut dhe për përcaktimin e një date pritet të merret menjëherë, ndërsa për Shqipërinë kjo gjë do të ndodhë vetëm pas plotësimit të dy kushteve të mbetura, plotësimit të gjykatës kushtetuese me të paktën gjashtë anëtarë, dhe miratimit të ligjit për median sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Dokumenti përmban parimet, përmbajtjen dhe procedurat e procesit të negociatave, si dhe kushtet që duhen plotësuar para çeljes së kapitujve të parë negociatave, siç është shpjeguar edhe më parë nga Euronews Albania, i bazuar në metodologjinë e re të Komisionit dhe me një përmbajtje mjaft shtrënguese në krahasim me procese të ngjashme me vende të tjera më herët.

Për shembull, në rast se vendi do të shënojë hapa pas, nëse do të shkelë në mënyrë të përsëritur vlerat bazë të BE-së, apo ngecje në kapituj të ndryshëm gjatë këtij procesi, për herë të parë parashikohet të rihapen kapitujt e mbyllur apo të bllokohen fondet për fushat përkatëse, përveç pezullimit të negociatave që ekzistonte dhe më parë. Në krahun e kundërt, nëse vendi përparon shpejt, fondet dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në programe të ndryshme evropiane do të rritet, dhe procesi i anëtarësimit do të shpejtohet.

Për të ardhmen e afërt, dokumenti bazë për negociatat përcakton edhe njëherë se çfarë duhet të përmbushë Shqipëria pas mbajtjes së konferencës së parë të anëtarësimit, dhe para se të mund të çelë grup-kapitujt e parë të negociatave, apo siç njihen ndryshe në vend : kushtet e Bundestagut gjerman.

Këshilli do të vëzhgojë nga afër vijimin e përparimit të arritur para konferencës së parë ndërqeveritare në lidhje me përparësitë kyçe të nënvizuara në përfundimit e Këshillit të Marsit 2020, siç janë:

  • Nisja e procedimit penal kundër gjykatësve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut
  • Nisja e procedimeve kundër të akuzuarve për blerje votash
  • Gjurmë të forta provash në luftën kudër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve dhe plotësimin e gjykimeve të para kundër zyrtarëve të nivelit të lartë dhe politikanëve
  • Përparim i prekshëm në lidhje me reformën e administratës publike
  • Zbatimin e reformës së kodit zgjedhor dhe marrja e një vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019
  • Përparim i mëtejshëm në miratimin e legjislacionit të mbetur zbatues që lidhet me kuadrin ligjor për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare të vitit 2017
  • Miratimi i ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës
  • Përparimi i procesit të regjistrimit të pronave

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në lidhje me çeljen e grup-kapitujve të parë, është se përveç kushteve të mësipërme, dhe përveç udhërrëfyesit në fushën e shtetit të së drejtës, vendi duhet të përgatisë dhe një udhërrëfyes të dytë për reformën në administratën publike. E përveç këtyre, vendet anëtare i kanë shtuar vetes të drejtën që nëse e gjykojnë të arsyeshme, të shtojnë edhe dy udhërrëfyes të tjerë para çeljes së mundshme të kapitujve të parë, në fushën e prokurimeve publike dhe në çështjet fiskale.

Të premten, me 7 nëntor, Gjermania pret që ambasadorët të marrin vendimin për ta pranuar dokumentin në fjalë siç është, nëse duan që të mirret një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga Ministrat e çështjeve evropiane në takimin e datës 10 nëntor. Nëse nuk pranohet, presidenca ka kërcënuar se do ta kalojë këtë bisedim në nivelin e komitetit të përfaqësuesve për Ballkanin deri në dhjetor, duke e hequr nga agjenda e ambasadorëve. Një nga vendet që mund të bllokojë pritet të jetë Bullgaria, e cila mbetet e pakënaqur me faktin që nuk është marrë parasysh kërkesa e saj për të përfshirë kushtin e zbatimit të Traktatit të Miqësisë me Maqedoninë në kuadrin negociues me këtë vend.

 

Lexoni gjithashtu:

Ku ndahet Holanda dhe Komisioni Europian për progresin e Shqipërisë drejt BE

Ekskluzive: Euronews Albania siguron vlerësimin e vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë, 2 kushte të mbetura për konferencën e parë të anëtarësimit

Ekskluzive/ Holanda e vendosur tek progresi i kërkuar, Shqipëria në ditë vendimtare për ta bindur

Tregime të lidhura