Aktualitet

Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare aktori dhe studiuesi Valter Gjoni

Përditësimi i fundit: 14/11/2020 - 09:04
Text size Aa Aa

Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare studiuesi dhe aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Valter Gjoni.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përcolli me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të Gjonit.

“Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë,” – shkroi Veliaj në Twitter duke nënkuptuar se ai qe prekur nga COVID-19.

I lindur më 4 tetor 1954 në Tiranë, Gjoni ndoqi studimet në Akademinë e Arteve për art dramatik.

Në fund të viteve ’70-të filloi punë si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, ndërsa më vonë në Teatrin Kombëtar, Kinostudio dhe Radio-Televizionin Shqiptar.

Pas një karriere të spikatur në teatër dhe kinematografi me mbi 70 role dhe interpretime në filma krah aktorësh si Robert Ndrenika, apo Rikard Ljarja, Gjoni pati spikatur gjithashtu për studimet dhe botimet e tij.

Ai nisi në vitin 1985 punë për çështjet kulturore, historike dhe artistike në Bashkinë Tiranë, punë së cilës nuk iu nda edhe pas daljes në pension.

Në vitin 1987 ai pati përmbyllur edhe studimet pasuniversitare për gazetari, më vonë duke e shoqëruar me specializime të ndryshme në Francë, Holandë, Itali etj.

Me punën e tij të vyer si studiues Gjoni pati hapur dhjetëra ekspozita kryesisht për vlerat historike dhe njerëzore të kryeqytetit.

Miqtë e tij e mbiquanin “Enciklopedia e Tiranës” për faktin se pas rreth 35 vitesh punë në Bashkinë e Tiranës pati përmbledhur në rreth 10 botime informacionet e vyera të historisë së saj, 42 kryetarëve, apo dhe 35 qytetarëve të nderit etj.

“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Valter Gjonit, artistit, diplomatit dhe qytetarit model të Tiranës së cilës i shërbeu me përkushtimin dhe mirësinë që shoqëroi çdo ditë të jetës së tij. Dhimbjes së familjes dhe miqve të tij i bashkohem me ngushëllimet dhe lutjet e mija që shpirti i tij të prehet në paqe,” – shkroi më vonë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili në periudhën 2011-2015 drejtoi Bashkinë e Tiranës.

Vitin e shkuar Gjoni u vlerësua me çmimin “Simbol i qytetit” ndërsa më parë qe vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

Emisioni Urban Story në Euronews Albania i pati kushtuar Gjonit një profil, për të cilin mund të mësoni më shumë duke klikuar më poshtë.

 

Lexoni gjithashtu:

Valter Gjoni, enciklopedi që i rezistoi 10 kryebashkiakëve të Tiranës

Tregime të lidhura