Aktualitet

Rritja e infektimeve, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendos tre masa të reja kufizuese

Përditësimi i fundit: 17/11/2020 - 15:54
Text size Aa Aa

Drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Albana Fico tha se ekspertët po monitorojnë situatën me Covid-19, ndërkohë shtoi se po vijon puna në terren për kryerjen e testimeve dhe gjurmimit të rasteve të mundshme me Covid-19. Gjatë komunikimit me mediat znj. Fico lajmëroi se Komitetit ka marrë tre masa shtesë kufizuese, si përpjekje për të frenuar përhapjen e gjerë të epidemisë në popullatë.

Masat e marra konsistojnë si vijon:

-Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.
-Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.
- Konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve thotë së në tre spitalet Covid janë të shtruar 406 pacientë. Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico shtoi se skenarët për përfshirjen e spitaleve rajonale janë gati në momentin, që do ketë ezaurim të katër spitalet Covid.

“Në tre spitalet covid janë shtruar 406 paciente. Aktualisht rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në kater strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve, ndërkohë që skenaret e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid”, tha Fico.

Rritja e rasteve të të infektuarve dhe shtrimi në spitale ka ngritur shqetësim të madh tek qytetarët, të cilët krahas merakut për shëndetin, i druhen edhe skenarit të ri-mbylljes së ekonomisë. Doktoreshë Albana Fico tha se aktualisht nuk ka asnjë arsye për ta çuar vendin në mbyllje të plotë, por shtoi se situata e pandemisë po monitorohet nga java në javë.

"Kjo është një situatë, e cila vlerësohet në dinamikën e vet. Sot që flasim opsioni i mbylljes së Shqipërisë do të ishte opsioni i fundit”, shtoi ajo.