Aktualitet

Trembëdhjetë viktima, tjetër ditë me mbi 700 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Përditësimi i fundit: 21/11/2020 - 16:27
Text size Aa Aa

Trembëdhjetë pacientë me COVID-19 humbën jetën ndërsa 737 persona të tjerë u diagnostikuan të infektuar ditën e shtunë.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se viktimat ishin të moshave 54-82 vjeç nga Tirana, Gjirokastra, Fieri, Lezha dhe Shkodra.

Autoritetet thanë se në laboratorët publikë e privatë u kryen 2,470 teste – 528 prej së cilave për arsye “depistimi” (kontrolli), – nga këto teste 737 persona rezultuan të infektuar me një pozitivitet 29.8-38%.

Kjo është dita e katërt radhazi, që pas 18 nëntorit, që autoritetet pikasin mbi 700 raste të reja me COVID-19, me një prirje që mbetet shqetësuese pasi vetëm këto katër ditë janë diagnostikuar 3,070 raste të reja – kaq raste pati periudha mars-korrik e pandemisë.

Kështu prej nisjes së pandemisë, totali i rasteve në vendin tonë ka shkuar në 32,196 – prej së cilave 16,042 aktive (49.8% totalit), – ndërsa 685 prej tyre (2.1%) janë mbyllur me pasojë vdekjen.

Gjatë ditës së sotme u deklaruan “të shëruar” 414 persona të tjerë duke e çuar totalin në 15,469 qytetarë (48% e totalit të rasteve) që kanë mundur ta mposhtin virusin.

Ministria e Shëndetësisë tha se në tre spitalet e Tiranës ku trajtohen të sëmurët me COVID-19 janë aktualisht të shtruar 443 pacientë (2.7% e rasteve aktive), prej së cilëve 10 janë në terapi intensive.

Diçka më shumë se gjysma e rasteve aktive me COVID-19 mbetet në qarkun e Tiranës (8,386 raste), ndërsa tejet shqetësuese paraqitet situata edhe në Fier (1,204 raste) dhe Durrës (1,184 raste). 

Të dhëna domethënëse:

  • COVID-19 u ka marrë jetën shtatë mjekëve: Anibal Byberi, Hysni Shkjau, Arian Pushi, Esat Pashaj, Muharrem Xhepexhiu, Ilirjan Draçit dhe Shaqir Shehu;
  • dita e fundit pa viktima në raportet ditore: 24 shtator;
  • më shumë të shëruar në një ditë: 564 raportuar më 16 nëntor;
  • më shumë të infektuar në një ditë: 836 raportuar më 20 nëntor;
  • më shumë viktima në një ditë: 15 raportuar më 20 nëntor;
  • viktima në moshë më të re: fëmijë 16 muajsh raportuar më 20 nëntor;

Masa të rëndësishme:

  • prej 17 nëntorit ndalohen tubimet partiake dhe grumbullimet me më shumë se 10 persona; lexo më shumë këtu;
  • prej 11 nëntorit ndalohet lëvizja dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve prej orës 22:00 deri në 06:00; lexo më shumë këtu;
  • prej 15 tetorit maska është e detyrueshme edhe në mjedise të hapura dhe të mbyllura, lexo më shumë këtu;
  • prej 23 korrikut testi për COVID-19 me tamponë kryhet edhe në klinika private; lexo më shumë këtu;
  • prej 20 korrikut ndalohet muzika pas orës 20:00, lexo më shumë këtu;

Të dhëna mbetur të paqarta:

  • nuk ka raportime vdekjesh jo-spitalore me COVID-19;
  • nuk ka raportime vdekjesh të pacientëve që janë dërguar për trajtim më të specializuar jashtë shtetit;
  • të paktën 10 raste pacientësh të infektuar nga COVID-19, nuk figurojnë në rastet e përgjithshme të të infektuarve, çështje për të cilën Euronews Albania ka kërkuar shpjegime, por nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet, lexo më shumë këtu;

Tregime të lidhura