Aktualitet

Debati mbi huanë saudite, Denaj i përgjigjet Metës: Procedura është ligjore, me të njëjtin fond realizohet një tjetër projekt

Përditësimi i fundit: 06/01/2021 - 11:21
Text size Aa Aa

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj përmes një deklarate për mediat ditën e sotme i është përgjigjur akuzave të kreut të shtetit Ilir Meta se qeveria ka shkelur procedurat në ri-negocimin e një marrëveshjeje huaje me Fondin Saudit për Zhvillim lidhur me projektin e rrugës Orikum-Vlorë.

Ministrja sqaroi se presidenti është informuar për huanë, por në këtë rast nuk ka pasur nevojë për negocim, pasi siç tha nuk bëhet fjalë për një hua të re, po për një hua të negociuar më parë.

“Negocimi nuk është një fazë e detyrueshme me ligj. Nuk bëhet fjalë për një hua të re por me të njëjtin fond realizohet një tjetër projekt. Dakordësia e realizuar në gusht i hapi rrugë dy proceseve paralele. Ratifikimit në parlament dhe anulimi juridik i objekt-investimit në mëparshëm dhe është ratifikuar në shtator të vitit të kaluar. Ajo që kërkohet të arrihet është që me të njëjtin fond të negociuar sipas parashikimeve kushtetuese të realizohet një projekt infrastrukturor në të njëjtin vend.

Ku qëndron kundërshtia me Kushtetuesen? Proceduar është ligjore. Është një nevojë për të rritur investimet infrastrukturore.

Presidenti zbaton në mënyrë të gabuar procedurën e negocimit, dhe ngre akuza për mashtrim e tenton të paraqesë si një veprim arbitrar anulimin e projektit për lumin Vlorë”, tha ministrja.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta shkëmbyen të hënën akuza rreth një huaje nga Arabia Saudite për projektet infrastrukturore në Vlorë.

Gjatë një vizite në Vlorë, Rama tha se Meta ka bllokuar vijimin e projekteve duke penguar sigurimin e fondeve për investime. Bëhet fjalë për një fond nga Arabia Saudite, i cili qe negociuar nga qeveria mirëpo sipas Ramës Presidenti Meta nuk ka dhënë dakordësinë për konkretizimin në marrëveshje.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi reagoi në mbrëmje duke hedhur poshtë pretendimet. Ai tha se sipas procedurave ligjore për të negociuar hua financiare nevojitet autorizim nga Presidenti. Në rastin në fjalë Blushi tha se Meta ka kërkuar informacione se pse nuk është respektuar procedura dhe se pas kësaj lëvizjeje qëndrojnë “qëllime elektorale”.

 

Lexoni gjithashtu:

Rama e Meta replikojnë për një hua nga Arabia Saudite

Presidenti Meta zbulon shkeljet e qeverisë për huanë e Fondit Saudit për Zhvillim

Tregime të lidhura