Aktualitet

Shqipëria dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit

Përditësimi i fundit: 06/01/2021 - 16:28
Text size Aa Aa

Shqipëria ka nënshkruar sot në Ankara një marrëveshje për krijimin e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë me Turqinë duke forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në një konferencë të drejtpërdrejtë ku u nënshkruan disa marrëveshje pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Ankara, presidenti Erdogan e konsideroi marrëdhënien me Shqipërinë si marrëdhënie “vëllazërore” dhe marrëveshjen e nënshkruar sot si një hap përpara për bashkëpunim edhe më të ngushtë.

“Kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Lartë, deklaratë që do ta forcojë lidhjen tonë,” – tha Erdogan.

Presidenti turk kujtoi projektet si ai i ndërtimit të mbi 500 banesave në zonën e Laçit për familjet që mbetën pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe një sërë projektesh të tjera si tregues të vullnetit dashamirës së Turqisë për Shqipërinë. Ai uroi që zgjedhjet e ardhshme të jenë të dobishme për vijimin e përparësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se marrëveshja e ngre në një nivel tjetër marrëdhënien mes dy vendeve pasi krijohen grupe të përbashkëta pune, të cilat mund t’i kapërcejnë më lehtë pengesat që hasen zakonisht.

“Jam shumë i kënaqur që Presidenti shprehu gatishmërinë, jo vetëm me fjalë, por edhe ndjekjen e projekteve për ndërhyrje në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulutrës, besoj është lajm i mirë që Universiteti ITU [Universiteti Politeknik i Stambollit], i famshëm për teknologjinë, do të jetë prezent së shpejti në Shqipëri, sikundër jam i lumtur që së shpejti edhe spitali rajonal i Fierit do të jetë realitet,” - tha kryeministri Rama, i cili më pas ironizoi se ka vënë bast që brenda tre muajsh spitali në Fier do të jetë gati.

Erdogan iu përgjigj me humor se spitali i Fierit do të ndërtohet përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Përpara konferencës për shtyp nënshkruan marrëveshjen ministrja e Arsimit Evis Kushi, Kulturës Elva Margariti dhe e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Turqia ka rënë dakord të mbështesë sistemin e shëndetësisë me ndërtimin e disa spitaleve, të mundësojë asistencë në kualifikimin e stafit shëndetësorë. Po kështu në fushën kulturës është nënshkruar një marrëveshje për rikonstruktimin e xhamisë së Plumbit në Shkodër, ndërsa në fushën e arsimit është rënë dakord për të mundësuar ndërlidhje të universiteteve dhe shkollave mes dy vendeve dhe hapjen e një filjali të një shkolle të teknologjisë nga Turqia.

Ngritja e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Turqisë është diskutuar prej së paku dy vitesh mes dy vendeve.

Këshilli lehtëson dh thellon marrëdhëniet e bashkëpunimit në fushat kyçe si siguria, mbrojtja, energjetika, turizmi, infrastruktura, arsimi dhe kultura.

Lexoni gjithashtu:

Kryeministri Rama nis vizitën dyditore në Turqi, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve me rëndësi strategjike

Deti me Greqinë | Baton Haxhiu: Rama i qëndron deklaratave që bën

Deti me Greqinë | Bushati tregon ku rrezikon Shqipëria dhe kritikon Ramën: Çfarë po synohet

Tregime të lidhura