Aktualitet

Katastrofa mjedisore, zv.ministrja Çuçi: Janë mbetje historike, përgjegjësia e bashkive

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 19:20
Text size Aa Aa

Ornela Çuçi, zv.ministre e Turizmit thotë se nga 199 vend depozitime të mbetjeve, 130 prej tyre kanë qenë pranë lumenjve dhe kjo situatë ka sjellë ndotje të madhe mjedisore. Ajo tha se përgjegjësia është e të gjithëve ndërsa për kontrollin e territorit bëri përgjegjëse bashkitë.

Znj. Çuçi duke folur për Euronews Albania theksoi se, sot për 70% të popullsisë mbetjet nuk derdhen më buzë lumenjve ndërsa shtoi se mbetet ende punë për të rregulluar riciklimin e tyre.

“Kemi miratuar një strategji të re për menaxhimin e mbetjeve dhe masat që duhet të marrin bashkitë. Kemi investuar për të zgjidhur riciklimin e mbetjeve. Për 70% të popullsisë mbetjet nuk derdhen më buzë lumenjve, por aty ka mbetje historike të cilat do të duhet të pastrohen me kalimin e kohës”, u shpreh zv.ministrja.

Lumi Shkumbin është një nga  më të ndoturit në vend. Prurjet e tij kalojnë përmes 7 bashkive dhe të gjitha mbetjet përfundojnë në detin Adriatik.

Shqipëria prej dekadash vuan problemin e madh të mos menaxhimit të mbetjeve, të cilat hidhen nëpër përrenj e lumenj nga banorët por edhe vetë bashkitë.

Ndonëse vitet e fundit qeveria ka investuar miliona euro për ndërtimin e disa inceneratorëve për riciklimin e mbetjeve, situata sërish mbetet shqetësuese për të mos thënë në kufijtë e një katastrofe mjedisore.

Përveç ndotjes së mjedisit ku jetojmë vetë ne, shpesh herë jemi kthyer në shqetësim dhe për vendet fqinje si Mali i Zi apo e dhe më gjerë deri në Kroaci, pasi mbetjet e kanë përfunduar deri në bregun e detit të tyre.

 

Lexoni gjitthashtu:

Ndotja që la pas përmbytja, gati 5 km vijë bregdetare e mbushur me plehra në Spille