Aktualitet

Ende s'ka tërheqje të ujit në zonat e përmbytura në Shkodër, disa akse të bllokuara

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 07:26
Text size Aa Aa

Vijon të rritet hapësira e përmbytur nga uji në qarkun e Shkodrës.

Në përditësimin e fundit nga Bashkia, rezulton se 1910 ha tokë janë nën pushtetin e ujit, nga të cilat 960 hektarë janë në njësinë Administrative Ana e Malit.

Ndërkohë, gazetari i Euronews Albania, Teodor Gjerga raporton se ende nuk ka një tërheqje të ujit në zonat e përmbytura për shkak të shkarkimeve. 

“Pavarësisht kushtet të përmirsuara atmosferike nuk ka një tërheqje të ujit nga tokat e Nën-Shkodrës. Kjo vjen për shkak të shkarkime të cilat kanë vijuar të jenë në kuota të larta”, u shpreh ai.

Rruga në fshatin Obot vijon të jetë e bllokuar për mjetet e ulëta, ndërsa banorët e fshatit Oblikë, po furnizohen me ujë të ambalazhuar, për shkak të daljes jashtë funksionit të ujësijellësit në këtë fshat.

Problematike situata paraqitet dhe në Dajç, ku aktualisht janë të përmbytura 860 ha tokë.

Sakaq rruga për në Dajç dhe segmenti Shirq-Darragjat, vijojnë të jenë të bllokuara.

Përmbytje ka dhe në njësitë Gur i Zi, Velipojë, Bërdicë dhe Rrethina, ku qindra hektarë tokë janë nën ujë.

Aktualisht bashkia po grumbullon pako ushqimore, për t'i shpërndarë tek familjet e dëmtuara nga përmbytjet.

Lexoni gjithashtu:

Milva Ekonomi: Të mbjellat nuk janë dëmtuar nga përmbytja

Oboti nën ujë, banorët apel qeverisë për ndihmë: Po na ngordhin bagëtitë

Tregime të lidhura