Aktualitet

Fatmir Mediu cakton “kushtin” për të hyrë në koalicion me PD

Përditësimi i fundit: 14/01/2021 - 16:42
Text size Aa Aa

Partia Republikane në zgjedhjet e 25 prillit në rast se nuk do të arrijë një marrëveshje për të qenë në koalicion me Partinë Demokratike, do të garojë e vetme me 140 kandidatët e saj në të gjithë vendin.

Kreu i PR, Fatmir Mediu në një intervistë për Euronews Albania tha se nuk i ka vendosur kushte Lulzim Bashës, por kërkon që negociatat për arritjen e një pakti të bëhen mbi historikun elektoral të partisë së tij.

“Negociatat nuk janë mes Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës është një raport mes PR dhe PD. PR po përgatitet të ketë 140 kandidatë që do të jenë të vlefshëm edhe në rast koalicioni edhe në rast të daljes më vete”, tha ai.

I pyetur nga gazetarja Loneta Progni se a është e vërtetë që PR ka vendosur si kusht që të ketë dy emra të sigurt në  listën e PD, z. Mediu tha se, “nuk po i kërkoj asgjë PD por nuk mund të njësohet PR thjesht me emrin e një njeriu. Nuk është çështje e Fatmir Mediut”.

Ai solli si shembull koalicionin e arritur me ish-kryeministrin Sali Berisha në zgjedhjet e vitit 2005 kur PD u rikthye në pushtet pas 8 vite në opozitë. Kreu i PR tha se koalicioni në atë kohë u ndërtua për të fituar zgjedhjet. Ndaj sipas tij rruga më e mirë për opozitën do të ishte që në koalicion të bënin pjesë dhe Jozefina Topalli me Astrit Patozin.

“Rruga më e mirë është që të ndërtohet një koalicion ku edhe znj. Topalli dhe z. Patozi të jenë pjesë e këtij koalicioni. Si znj. Topalli dhe z. Patozi do të gjenin një terren mbështetjet më shumë brenda koalicionit se sa jashtë”, tha z. Mediu duke shtuar se duhen kapërcyer qejf mbetjet personale.

Kreu i PR duke iu referuar ndryshimeve të Kushtetutës dhe Kodit Elektoral, përdorimit të administratës, lidhjeve korruptive dhe të inkriminuara të kryeministrit të vendi, theksoi se z. Rama nuk do të ndalet deri në sekondën e fundit për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve dhe për këtë tha ai, opozita së pari duhet të punojë për të garantuar të kundërtën.

“Rama nuk do të ndalet deri në sekondën e fundit për të manipuluar zgjedhjet edhe sikur ta shikojmë me kutinë e votimit në krah. Përballë kësaj opozita duhet të bashkohet në çdo qendër votimi. Detyra e parë e opozitës është garantim i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pavarësisht nga mënyra se si dalim në koalicion apo diferenca që kemi me njëri-tjetrin. Ne nuk mund të ecim me idenë se çfarë do t’i themi Edi Ramës po vodhi zgjedhjet. Ne duhet të organizohemi që të frenojmë që Rama të fusë duart në kutitë e votimit”, përfundoi z. Mediu.