Aktualitet

Ish-ministri i Arsimit, Tafaj: Duhet analizë për mangësitë e krijuara në arsim gjatë pandemisë

Përditësimi i fundit: 22/02/2021 - 16:52
Text size Aa Aa

Myqerem Tafaj, ish-ministër i Arsimit thotë se duhet bërë një analizë e kujdesshme për të evidentuar mangësitë që kanë nxënësit dhe studentët për këtë vit arsimor.

Z. Tafaj nënvizoi gjatë një interviste për Euronews Albania se, arsimi ashtu si ekonomia po vuajnë nga keqmenaxhimi i pandemisë.

Ndërsa thotë se, modeli i ndjekur me mësim online është i ngjashëm me vende të tjera, ish-ministri thotë se Shqipëria është dëmtuar më shumë për shkak se ka një sistem të dobët arsimor dhe mungesë infrastrukture.

“Nevojitet një analizë e detajuar deri në nivel të çdo shkolle dhe çdo universiteti. Nuk mund të nisemi nga statistika boshe, në çdo vend nxënësit kanë trashëguar mangësi nga kjo pandemi dhe jo më tek ne”, tha z. Tafaj.

Ish-ministri i Arsimit shtoi se “Shqipëria ka agjenci që mund ta bëjnë këtë analizë për të ditur sa është dëmi që kemi pësuar” dhe më pas të realizohet një plan për të plotësuar boshllëkun.

“Me plan mund të shihen mundësitë si të kapërcehet. Mangësitë të kompensohen në vitin e ardhshëm në mënyrë që të mos lëmë mangësi në formimin e nxënësve”, përfundoi z. Tafaj.