Aktualitet
Basha zhvillon takime me qytetarë të Tiranës: Kemi planin për të ndihmuar biznesin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me qytetarë e sipërmarrës të zonës së Njësisë Administrative 7 në Tiranë.
Qytetarët dhe sipërmarrësit iu ankuan Bashës për taksat e larta dhe pensionet e ulëta.
Kandidati për kryeministër u zotua se ka një plan që ndihmon biznesin, qytetarët dhe shpëton ekonominë nga rrënimi, që sipas tij do të vihet në zbatim nëse ai fiton në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ka 8 vite që qeveria s’ka bërë asnjë gjë për këta njerëz, absolutisht asgjë. E del tani që po i vjen fundi e thotë edhe unë s’jam i kënaqur. Në fakt vetëm ai dhe një grusht njerëzish duhet të janë të kënaqur se kanë fituar miliona në kurriz të shqiptarëve,” – u shpreh Basha.
“Ne kemi dalë më një plan për të ndihmuar biznesin. Se po qe biznesi mirë do jenë gjithë njerëzit mirë, do jenë punonjësit mirë, do jenë familjet e tyre mirë, mirë do jenë të punësuarit,” – shtoi kryedemokrati teksa bëri thirrje për mbështetje të qytetarëve në datën e zgjedhjeve.
PD prej disa javësh ka prezantuar programin e saj ekonomik për zgjedhjet e 25 prillit. Opozita zotohet të ulë taksat, të implementojë një taksë të sheshtë, të luftojë korrupsionin dhe të rrisë mbështetjen për sipërmarrësit. Shumica socialiste e ka konsideruar këtë program pa baza. Sipas tyre taksa e sheshtë dëmton shtresën e mesme.
Lexoni gjithashtu:
Programi i PD, Basha takim me drejtuesit politikë në 12 qarqe
Basha premton nisjen e bisedimeve me BE-në gjatë takimit me Komisioneren Johansson
Rama: Ambicia jonë për 4 vitet e ardhshme, rritja e pagës minimale