Aktualitet

Dvorani rindez luftën politike, SHBA e cilëson si hero kundër korrupsionit, reagon ashpër Meta

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 18:34
Text size Aa Aa

Ardian Dvorani, gjyqtar dhe ish-kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është nismëtar kryesor i reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Kështu vlerëson Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka nderuar gjatë ditës së sotme 12 personalitete, që kanë luftuar kundër korrupsionit dhe kanë mbrojtur transparencën në vendet e tyre.

I pari në listën e vlerësimeve, është renditur Ardian Dvorani, që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit ka zhvilluar mekanizmat për të reduktuar ndikimet politike dhe kriminale ndaj sistemit të drejtësisë, hapa që kanë kontribuar në vendimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave. 

Por ky vlerësim ndaj tij, ka rikthyer edhe njëherë në skenë debatet presidencë-kryeministri lidhur me figurën e gjyqtarit. I pari që reagoi nëpërmjet një postimi në Twitter ishte kryeministri Rama, i cili shprehet se ky vlerësim ndaj Dvoranit u jep krah të tjerëve për të vazhduar më tej luftën ndaj korrupsionit dhe reformimin e drejtësisë.

“Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, shkroi kryeministri.

Por nuk ka vonuar reagimi i presidencës. Me një gjuhë të ashpër zëdhënësi i kreut të shtetit shprehet se kapja e reformës në drejtësi do të marrë fund në 25 prill

“O faqezi, Ramaforma jote ngordh më 25 prill me 3 milion shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë. Shqipëria e para dhe e pamposhtur”, shkroi Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Meta në Facebook.

Presidenti Meta e solli në vëmendje rastin e Dvoranit edhe kur SPAK arrestoi gjykatësen e Krujës, duke i kërkuar këtij organi që të vijojë punën me gjyqtarët të tjerë të korruptuar. Më herët ai ka dorëzuar një padi në SPAK kundër Ardian Dvoranit.

Tregime të lidhura