Arte

Ekspozita ''Totalitarizmi në Europë'', Znj Godole: Shqipëria mes 28 posterave të vuajtjes

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 20:28
Text size Aa Aa

Ekspozita “Totalitarizmi në Europë” synon ndërgjegjësimin për krimet e regjimit.

Sistemi komunist shqiptar mbahet si një nga sistemet më represive në Evropën Lindore duke u cilësuar shpesh si "regjim stalinist".

Studimet teorike dhe analizat krahasuese mbi represionin, dhunën dhe praktikat staliniste në Shqipëri janë ende në hapat e para për këtë edicioni i pestë i “Ditëve të Kujtesës” synon të nxisë një diskutim më të thelluar mbi represionin në Shqipërinë komuniste.

Ndërgjegjësimi, por edhe edukimi publik rreth krimeve më serioze të kryera nga diktaturat totalitare të shekullit të 20-të është i domosdoshëm sidomos në shoqëri që kanë vuajtur represionin dhe terrorin totalitar, siç është dhe Shqipëria.

Pavarësisht gjithë shtypjes nga një grup politik që ushtronte kontroll të plotë mbi shtetin e shoqërinë e ende nuk ka asnjë proces të hapur kundër personave përgjegjës.

Presidenti i Platformës së Ndërgjegjes dhe Kujtesës Europiane thotë se drejtësia është e mundshme.  

"Në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri demokratike ku udhëheq ligji duhet të kujtojmë të shkuarën ose të paktën të përpiqemi të vëmë para përgjegjësisë autorët," shprehet ai.

Ekspozita "Totalitarizmi në Europë" që për herë të parë përfshin Shqipërinë si pjesë e shteteve që kanë vuajtur nën regjimet totalitare vjen si pjesë e edicionit të pestë të “Ditëve të Kujtesës” nga  Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer si dhe në bashkëpunim me Platformën e Ndërgjegjes dhe Kujtesës Europiane. 

Mes 28 posterave të vendosur për secilin vend, Shqipëria rreshtohet mes 14 vendeve që kanë përjetuar fashizëm, nazizëm ose komunizëm dhe ku ka pasur krime ndaj njerëzimit.

Në fund të çdo posteri të vendosur në ekspozitë tregohet numri i gjyqeve pas rënies së sistemit, personat përgjegjës për këtë, dhe numri i proceseve gjyqësore.

Jonila Godole, Drejtore ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, tregon në Ilva Now se në fund të posterit të Shqipërisë numri i shënuar është 0, pra në Shqipëri nuk ka asnjë ndjekje penale dhe asnjë gjyq të hapur pas rënies së regjimit, por në mungesë të burimeve shifrat e vendosura në fund të posterave janë të gjitha të diskuteshme.  

“Ne prezantohemi në këtë mënyrë, por do të do të ishte mjaft interesante dhe mjaft e rëndësishme për publikun shqiptar të kalonin dhe ta shihnin, në mënyrë që të bëjnë krahasimin midis Shqipërise dhe Rumanisë, Polonisë, Republikës Çeke dhe vendeve të tjera që kanë kaluar të njëjtin regjim si ne”, thotë ajo.

A ka kuriozitet brezi i ri për periudhën e komunizmit?

Vite pas një regjimi që ka shkaktuar shumë dhimbje jo vetëm në Shqipëri por në shumë vende të tjera, duket se të rinjtë nuk kanë shumë informacione apo nuk janë shumë kuriozë për të mësuar më shumë rreth tij.

Por Znj. Godole thotë se gjatë hapjes së ekspozitës, si edhe gjatë ceremonisë zyrtare ishin të pranishëm shumë të rinj.

“Një pjesë e tyre, natyrisht, janë të rinj që na ndjekin vazhdimisht dhe ndjekin konkurset që ne bëjmë”, thotë ajo.

Konkursi "Pyet gjyshërit", një konkurs i organizuar nga IDMC, është një aktivitet që nxit të gjithë të rinjtë nga mosha 15-19 vjeçare të reflektojnë për të shkuarën në Shqipëri duke e prezantuar atë në një punim kreativ individual apo no grup.

“Përmes konkursit “Pyet gjyshërit”, në fakt ne kemi kuptuar që interesi i tyre është i madh në çastin që ata shkojnë tek familja dhe shkojnë tek historia personale. Vetëm në momentin që ata dëgjojnë këtë histori, dëgjojnë për dhimbjet, për vuajtjen, për persekutimin në familje apo në një rreth pak më të gjerë në atë moment ata, le ta themi, ndërgjegjësohen”, argumenton Znj. Godole.

Sipas saj interesi i të rinjëve për të mësuar rreth komunizmit nuk mund të vijë nga shkollat apo nga mënyra të tjera, por vetëm nëse ata reflektojnë duke u nisur nga vetja dhe nga familja e tyre.

Hartë digjitale e vendeve të persekutimit në kohën e komunizmit

Përmes një projekti nga një institut partner i “Ditëve të Kujtesë”, së shpejti të gjitha vendet e vuajtjes, burgjet, kampet e internimit do të vendosen në një hartë digjitale e cila do të jetë e aksesueshme nga të gjithë në internet.

“Për herë të parë kemi në mënyrë të digjitalizuar vendet e vuajtjes, shumë prej tyre, duhet thënë janë në kushte shumë të këqija. Janë duke u rrënuar, duke u zhdukur. Por në qendër të vëmendjes janë dy më të rëndësishmet e regjimit. Kampi i tepelenës dhe burgu i spaçit, për të cilat është bërë më shumë zhurmë gjithmonë”, tregon ajo.

Tregime të lidhura