Arte

Bisedë në absurd, vëllimi me poezi sjell të pathënat e shpirtit njerëzor

Përditësimi i fundit: 06/03/2020 - 22:14
Text size Aa Aa

Dashuria, fjala, heshtja, koha ndërthuren në vëllimin poetikë "Bisedë në Absurd" duke sjellë një rrëfim për shpirtin njerëzor. Plazmimi i ndjesive, fjalës, emocionit, shqetësimit njerëzor të thëna ashtu siç janë ndjerë që në momentin fillestar është ajo që autorja Anila Varfi kërkon të përcjellë në çdo varg. 

“Një udhëtim që erdhi si nevojë për të nxjerrë jashtë vetes dashurinë që kam ndjerë, për të komunikuar me publikun, me lexuesin për çfarë janë shqetësime, jo vetëm të miat. Duke dashur t’i bëj të prekshme jam munduar ti jap zë kujtdo, për të artikuluar protestën e çdo individi, me të përditëshmen e tij, me atë çfarë e revolton. Ajo që është ëndërrimi I çdo individi, gjithçka që e ndërton atë si qënie është esenciale.” – shprehet poetja.

Me një frymë simbolike është menduar dhe kopertina e librit që vjen nga cikli i pikturave “Pezull” i Blerta Xhomos. Në këtë alkimi artistike shfaqet një figurë që gjithë dhimbjen, gëzimin, pendesën, mohimin e mbështjell rreth vetes dhe kjo rezonon në mënyrë perfekte me brendinë e vëllimit.

“Fuqinë shprehëse ia njihja Xhomos ndaj nuk pata asnjë dyshim. Aty isha unë, aty mund të jetë kushdo që netëve qan dhe nuk ka askënd që ti gjendet pranë, netëve vuan pa njeri afër. Piktura në kopertinë është universi vetë që I mbledhur në të tërën e vet, me copëzat e veta të dhimbjes, dashurisë, heshtjes, vuajtjes, vdekjes, gjithçkaje.”

75 poezi të ndarë në cikle me një lajtmotivit domethënës në çdo tematikë të trajtuar.

Sikundër është dhe titulli ne përfshihemi në absurdin që na rrethon, ku kuptohemi, keqkuptohemi, ndoshta dhe pa dashje, por kjo është jeta. Aty janë të vendosura copëza jete të miat që shpresoj të jenë e njëjta ndjesi e të gjejnë koherencë te lexuesi 

 “Frymës që i dha frymë dashurisë” është dedikimi special që përmbledh këtë vëllim të dytë me poezi të Anila Varfit.

Është një dedikim për frymën time, që më bën të dua fort, që më bën të qaj fort, më shtyn të bëhen më e mirë, pra është ajo që në të përditshmen time më ngre e më bën që të eci përpara e t’i dua gjërat e t’i pranoj ashtu siç janë. 

Tregime të lidhura