Arte

Anulohet Festivali i Kanës, hera e dytë që prej Luftës II Botërore

Përditësimi i fundit: 13/05/2020 - 10:11
Text size Aa Aa

Festivali i Kanës duhet të kishte filluar natën e kaluar dhe të zgjaste dy javë. Por eventi kinematografik, i famshëm për shkëlqimin e tij dhe tapetin e kuq nuk do të mbahet këtë vit.

Yjet e kinemasë nuk janë të pranishëm për shkak të koronavirusit dhe e vetmja stoli përpara Pallatit të Festivalit është një parullë “Ju Faleminderit”, që iu drejtohet punonjësve të shëndetësisë.

Mos mbajtja e festivalit më të madh të filmit, që është anuluar vetëm një herë që prej Luftës II Botërore, përbën një goditje të fortë për këtë industri.

“Festivali është një platformë për promovimin e filmave më të mëdhenj të vitit dhe tani jemi në një pikë ku nuk dimë se cilët do të jenë këta filma dhe është e vështirë të zgjedhësh. Ne nuk e kemi atë vulë aprovimi që jep festivali i Kanës, që është kaq e rëndësishme”, deklaron Kaleem Aftab, kritik filmash.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një zhgënjim për aktorët dhe regjisorët. Anulimi është një goditje për bizneset dhe kompanitë nënkontraktore që bazohen tek festivali.

“Për ne është një humbje e madhe. Festivali sjell një pjesë të madhe të të ardhurave tona vjetore, ndaj është një problem serioz për ne”, thotë Pierre Dambrine, ngritës stendash.

Por organizatorët refuzojnë të përdorin termin “anulim”. Ata thonë se edicioni i 73-të do të vazhdojë, se pandemia nuk do të pengojë njohjen e filmave më të mirë dhe një njoftim për përzgjedhjen zyrtare do të publikohet në fillim të qershorit.