Arte

Pompei rihap dyert. Parku arkeologjik, me masa anti-COVID

Përditësimi i fundit: 14/05/2020 - 12:22
Text size Aa Aa

Një shesh i boshatisur, i rrethuar nga prania e fortë e shkëlqimit të tij historik. Kjo është pamja magjike që ofron Pompei për vizitorët e tij që prej shekullit të 18, kur artefakti i parë doli nga nëntoka pas 2 mijë vjet harresë.

Epidemia e Covid-19 detyroi Pompein të mbyllte dyert, por në dy muajt e fundit, parku arkeologjik nuk i ka pushuar aktivitetet, përmes proceseve të restaurimit të shtëpive, rrugëve dhe kopshteve të tij.

Së shpejti, ai do të rihapë dyert me standardet më të larta të sigurisë. Byzylykë elektronikë dhe një aplikacion do të ndihmojnë vizitorët të shijojnë në maksimum eksperiencën e tyre dhe në të njëjtën kohë të jenë të sigurt nga vrusi.

Skanera termikë, fasha të caktuara orari dhe itinerare të përcaktuara. Në këtë mënyrë një nga parqet arkeologjike më të famshme në botë do të mirëpresë vizitorët në fillim të qershorit, kur do të shihen edhe pjesë të pahapura më parë.

“Do të hapim shtëpi dhe dhoma që nuk kanë qenë të hapura më parë. Kjo është shumë e rëndësishme. Ideja është të përfitojmë nga kjo situatë e vështirë, të punojmë për publikun dhe t’i japim atij një imazh të ri të Pompeit; me shtëpi të reja, lulishte dhe hapësira, që kanë qëndruar të mbyllura për shumë kohë dhe që tani do të hapen”, thotë Massimo Osanna, drejtori i përgjithshëm i parkut arkeologjik.

Ndërkohë, një perspektivë tërësisht e re e Pompeit po u ofrohet vizitorëve të tij online, me ture të udhëhequra nga vetë drejtori Osanna.

Brenda pak javësh, mrekullia e Pompeit do të jetë sërish në dispozicion të publikut dhe kjo do të thotë një hap të rëndësishëm përpara për kthimin në normalitet, jo vetëm për Italinë.

“Pompei nuk përfaqëson vetëm identitetin e këtij territori, por përfaqëson identitetin evropian. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për kulturën evropiane që prej shekullit të 18-të dhe duhet të hapet sërish për të gjithë qytetarët”, shton Osanna.