Barometri Politik

Cila parti do t'i fitojë zgjedhjet? Euronews Albania dhe MRB sjellin sondazhin e dytë

Përditësimi i fundit: 18/02/2021 - 20:30
Text size Aa Aa

Sondazhi i dytë zgjedhor kombëtar i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB ka nxjerrë në pah ngushtimin e diferencës së prirjes së votës mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Sipas sondazhit, prirja e votës ishte:

  • PS 39.9% (-1.9% nga 41.8%)
  • PD 30.6% (+2.4% nga 28.2%)
  • LSI 9.1% (-1.2% nga 10.3%)

Kështu diferenca mes PS-së dhe PD-së është ngushtuar në rreth 4%, ndërsa ra në sy një shtim i të pavendosurve dhe zbehje e prirjes për të votuar LSI-në. 

Politologu Adri Nurellari e komentoi rritjen e prirjes për të votuar PD-në te "plotësimi i ofertës politike" me "publikimin e programit" apo "drejtuesve politikë në qarqe".

Lexoni më shumë: Adri Nurellari: Rritja e prirjes së votës drejt PD-së prej kompletimit të ofertës politike

Të ftuarit në studio patën qëndrime të ndryshme nga rezultatet e sondazhit. Për analistin Neritan Sejamini rritja e numrit të të pavendosurve është një shans më shumë për opozitën, e cila mund të kapitalizojë më shumë vota. Nurellari shkoi më tej duke dalë në përfundimin se për t’i marrë më shumë vota PS-së, opozita duhet të dalë me dy lista të ndara në zgjedhje.

Lexoni më shumë: Rritet numri i të pavendosurve, Sejamini: Përfituesja më e madhe nga lëvizja e elektoratit është PD

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e cilësoi të pa-avantazhuar opozitën në fushatën zgjedhore, fushatë të cilën ai e konsideroi ndër më të çuditshmet e 30-viteve. Sipas Manjanit pandemia ka kufizuar mitingjet dhe demonstrimet, dy asete historike për mbështetësit e PD-së. Pedagogia Jonila Godole shtoi se nga ana tjetër qeveria ka më tepër mundësi për të pasur mbulim mediatik.

Lexoni më shumë: Ylli Manjani: Fushatë e çuditshme, edhe vaksinat anti-Covid po kthehen elektorale

Eksperti i zgjedhjeve Blendi Çeka analizoi me shembuj lëvizjet e votave në radhët e opozitës, ku prej vitit 2013-të, kryesisht si rezultat i qeverisjes, PD-ja ka humbur zgjedhës me lëvizje drejt LSI-së apo PDIU-së. Ai tha se momentalisht sondazhet po tregojnë se PD-ja mund t’i mobilizojë maksimalisht votuesit e saj, por e ka të vështirë të konvertojë dhe risjellë prapë votat e shkuara.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Etjen Xhafa ishte i mendimit se rezultatet në tërësi ishin pozitive për PS-në dhe më së shumti negative për LSI-në. Ai i argumentoi luhatjet në rezultate kryesisht prej faktit se PS-ja nuk ka prezantuar ende programin dhe se ende nuk ka nisur fushata zgjedhore.

Për lëvizjet në radhët e LSI-së, ish-ministri Manjani u ndal te roli i munguar i ish-drejtuesit Ilir Meta, i cili aktualisht është President i vendit. Manjani tha se ka qenë gjithmonë kritik për lëvizjen e tij dhe se ai e ka braktisur LSI-në, “së cilës i prishi punë”.   

Lexoni gjithashtu: 

Shtohen të pavendosurit në zgjedhjet e 25 prillit, sipas sondazhit të Euronews Albania

Rritet me 2.4% mbështetja për PD në zgjedhje, ngushtohet diferenca me PS

Sondazhi i dytë kombëtar: Opozita e bashkuar dhe PS kokë më kokë për votën e shqiptarëve