Bota

Etapat e marrëdhënieve mes Presidentit Donald Trump dhe Kim Jong-un

Përditësimi i fundit: 03/01/2020 - 12:12
Text size Aa Aa

Në vitin 2018, Donald Trump u bë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që takohej me një udhëheqës koreano-verior. Ai u takua me Kim Jong-Un në një samit në Singapor. Miqësia dhe dialogu mes të dyve ishin surprizuese pas tensioneve që shkuan deri në kufirin e një lufte në vitin 2017, teksa Koreja e Veriut zhvillonte testime të njëpasnjëshme të raketave bërthamore. Pas përfundimit të atij takimi, Trump ishte entuziast se dy liderët do të kishin një marrëdhënie të jashtëzakonshme, madje thuri lavde për liderin komunist.

“Është një lider që e do populli i vet”, -tha Donald Trump për liderin suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. E gjithë kjo kthesë ndodhi në më pak se një vit, pasi Presidenti më i fuqishëm i botës së lirë e quajti diktatorin më të egër të kohës “njeri raketë” dhe shprehu superioritetin e Shteteve të Bashkuara kur tha se do ta “shkatërronte plotësisht” Korenë e Veriut në rast se do të duhej të mbronin veten dhe aleatët e tyre. Pas një viti, për Trump, Kim Jong Un ishte një njeri i nderuar dhe i hapur.

Historia e kërcënimeve, fyerjeve apo e tregimit të forcës nëpërmjet testimeve nukleare mes SHBA dhe Koresë së Veriut, është një histori e vjetër dhe e përsëritur. Në vitit 2019 marrëdhënia mes Trump dhe Kim Jong Un ka kaluar disa etapa, por sërish lideri korean nuk e humbi optimizmin e tij kur në fillim të vitit tha se kishte shpresë në vazhdimësinë e samitit nuklear me Trumpin, megjithatë vendi i tij do të merrte tjetër rrugë nëse SHBA-ja vijonte me sanksionet dhe presionin ndaj Koresë së Veriut.

Në mes të muajit shkurt, udhëheqësi koreano-verior takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, në Hanoi të Vietnamit. Në fokus të samitit ishte denuklearizimi i Koresë së Veriut dhe Amerika ishte e vendosur në kërkesën e saj dhe nuk do të tërhiqej për asnjë arsye. Kim Jong Un dhe Trump shtrënguan duart e buzëqeshën para kamerave.

Në ditën e dytë të samitit, Trump dhe Kim Jong Un, nisën bisedimet dhe të dyja palët u shprehën besimplota për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe zgjidhjen e çështjeve kyçe të denuklearizimit.

"Deri më sot, ne kemi bërë përpjekje të mëdha dhe ka ardhur koha t’i tregojmë. Sot jemi këtu për ta vijuar këtë dialog të mrekullueshëm”

"E kam thënë që në fillim që progresi i shpejt nuk ka rëndësi për mua. Jam mjaft mirënjohës që nuk ka më teste nukleare, raketash apo gjëra të tjera të ngjashme. E vlerësoj shumë. Unë dhe homologu im Kim patëm bisedime të jashtëzakonshme mbrëmë. Nëse dëshiron ta thotë për çfarë biseduam, mund ta thotë. Gjithsesi, bisedime të mira dhe e theksoj se nuk e kam me ngut."

Megjithëkëtë, në përfundim të samitit ndodhi ajo që nuk pritej. Trump deklaroi se SHBA-ja do të largohej nga samiti pa një marrëveshje të pëlqyeshme nga të dyja palët, kjo pasi udhëheqësi i Koresë Veriore i kishte kërkuar heqjen e sanksioneve Amerika kishte vendosur ndaj vendit diktatorial.

"Koreja kërkoi heqjen e plotë të sanksioneve, por ne nuk do ta bëjmë një gjë të tillë. Ata ishin të gatshëm të denuklearizonin një pjesë të madhe të zonave që ne kërkuam. Por, ne nuk mund t’i heqim të gjitha sanksionet. Gjithsesi, do të vijojmë punën dhe do të shohim se çfarë do të ndodh, por nga ky sugjerim do të largohemi, duhet ta bënim”-theksoi Trump.

Vetëm pak ditë më vonë, dhe ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Jong Ho, doli në një konferencë për shtyp dhe tha se vendi i tij kishte bërë një propozim realist në samit, por se Uashington insistoi që Peniani të hidhte një hap më larg dhe të çmontonte kompleksin nuklear të Jongbyon.

13 Prill 2019       

Dështimi i samitit në Hanoi të Vietnamit në fakt nuk do të ishte fundi i përpjekjeve të shumta për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Hapi i parë për ri-pajtim erdhi nga udhëheqësi koreanoverior, i cili deklaroi se ishte i hapur për një tjetër takim me Presidentin Trump, por duke i dhënë një vit kohë Uashingtonit që të ofrojë terma reciprokisht të pranueshme që do të çonin në një marrëveshje për afrimin e diplomacisë së dy vendeve.

Ndërkaq, pavarësisht pritjes për normalizim, Koreja e Veriut vijoi me testimet për raketat dhe në maj, lëshoi një seri raketash me reze të shkurtër, duke i dhënë fund pauzës së testeve të raketave të saj balistike. Lëshimi i raketave u pa nga kritikët si një përpjekje për të nxitur presion mbi Uashingtonin pa shkaktuar kolapsin e negociatave.

Nuk dihet nëse ky presion e bëri punën e tij apo jo por ajo që dihet është një muaj më vonë se presidenti i Shteteve të Bashkuara ndërmori një hap që do të shënohej në histori.  Përmes një cicërime në rrjetin social, Trump ftoi homologun e tij Kim për një shtrëngim duarsh në zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve. Oferta sipas diplomatëve koreanoverior ishte "shumë interesante".

Dhe më 30 qershor, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, takon udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në zonën e çmilitarizuar, duke u bërë presidenti i parë amerikan që shkel territorin koreanoverior. Ky takim duket sikur ishte një hap drejt një miqësie të munguar prej dekadash mes dy vendeve, por një ditë para Krishtlindjeve, Korea e Veriut i dërgon Amerikës një mesazh misterioz, “një dhuratë surprizë.

Ky mesazh u shpërfill nga Presidenti I SHBA-së. Nga kompleksi i tij Mar a Lago në Florida, Trump deklaroi se Uashingtoni është gati të përballet me çfarëdolloj surprize që vjen nga Peniani.

 “Të shohim se çfarë surprize do të jetë dhe më pas do të merremi me të. Do t’ia dalim me sukses”-u shpreh Trump.

Reagimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhi pas shqetësimeve se Peniani mund të jetë duke përgatitur një test të ri raketash. Presidenti nuk e kurseu ironinë kur tha se ndoshta ishte një dhuratë e bukur nga Kim Jong Un.

 “Ndoshta është një dhuratë e bukur, një vazo e bukur në vend të një testi raketor. Do të shohim”- theksoi presidenti i SHBA-së.

Më pas, i shoqëruar nga bashkëshortja Melania, Trump uroi Krishtlindjen. 2020 do të jetë viti i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta marrëdhënia e Trump me Kim Jong Un do të kalojë në plan të dytë por me siguri ajo që ka ndodhur mes tyre do të ndikojë në zgjedhje dhe zgjedhjet do të ndikojnë tek ajo që pritet të ndodhë mes dy liderëve gjatë vitit të ardhshëm.

Tregime të lidhura