Bota

Irani kalon në kundërsulm, godet me breshëri predhash bazën amerikane në Irak

Përditësimi i fundit: 08/01/2020 - 18:15
Text size Aa Aa

Baza ushtarake e Al Asadit është tronditur në orët e para të mëngjesit të sotëm si pasojë e më shumë se 10 raketave balistike të lëshuara nga Irani.

Sulmi ka ndodhur pak orë pas funeralit të gjeneralit Kasem Solejmani dhe përgjegjësia është marrë nga Trupat Revolucionare Islamike, raporton agjencia e lajmeve Iraniane “Mehr”,  ndërsa televizioni kombëtar Iranian ka transmetuar disa pamje që tregojnë predhat të cilat janë nisur drejt destinacionit.

Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë raporton se Presidenti Amerikan Donald Trump është informuar dhe po monitoron nga afër situatën duke u këshilluar me ekipin e sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme Xhavad Zarif me anë të një postimi në tëitter ka theksuar se Irani nuk po kërkon të përshkallëzojë luftën, por ka marrë masa vetëmbrojteje të cilat parashikohen edhe nën nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Sakaq, Presidenti Trump ka reaguar me anë të një postimi në "twitter" duke shkruar se "gjithçka është në rregull, dhe se forca ushtarake amerikane është më e mirëpajisura në botë", ai ka lajmëruar gjithashtu se do dalë në një deklaratë për shtyp brenda ditës së sotme.

Por, televizioni shtetëror  iranian ka raportuar me shifra duke thënë se nga sulmi me raketa balistike mbi bazën amerikane kanë humbur jetën të paktën 80 ushtarë. Më tej ai shton se janë shkatërruar edhe shumë pajisje në pronësi të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak.

Baza ajrore e “Al Asadit” ndodhet në provincën perëndimore të Anbarit në Irak. Ajo u përdor për herë të parë nga forcat amerikane pas pushtimit të drejtuar nga SHBA në 2003 që rrëzoi diktatorin irakian, Saddam Hussein.

Tregime të lidhura