Bota

Avioni i rrëzuar në Iran, zbulohen kutitë e zeza

Përditësimi i fundit: 08/01/2020 - 12:19
Text size Aa Aa

Një avion ukrainas me 176 persona në bord ëshë rrëzuar të mërkurën pak minuta pas nisjes nga aeroporti Teheranit, duke i lënë të gjithë pasagjerët të vdekur.

Ali Abedzadeh, kreu i aviacionit civil të Teheranit, tha të mërkurën se janë gjetur kutitë e zeza të avionit.

Ministri i jashtëm i Ukrainës konfirmoi se 82 prej tyre ishin nga Irani, 63 nga Kanadaja, 11 nga Ukraina, 10 nga Suedia, 4 nga Afganistani, 3 nga Gjermania dhe 3 nga Mbretëria e Bashkuar.

Megjithatë, disa prej shtetasve kanadezë kishin nënshtetësi iraniane.

“Ne shprehim ngushëllimet tona. Autoritetet ukrainase po vazhdojnë hetimet”, tha ai.

Përmes një deklarate, Linja Ndërkombëtare Ajrore e Ukrainës tha se fluturimi PS752 “u zhduk nga radarët disa minuta pas nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tehranit”.

Zëdhënësja e autoriteteve të Rrugëve dhe Transportit të Iranit tha se një prej motorëve mori flakë pasi avioni kishte nisur udhëtimin. Si pasojë piloti humbi kontrollin duke sjellë përplasjen e aeroplanit në tokë.

Avioni ishte nisur kur ra zjarr në një nga motorët, tregon Qassem Biniaz, zëdhënësi i autoritetit të rrugëve dhe transportit.

Në bord ishin 167 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit me kombësi të ndryshme. Destinacioni i këtij fluturimi ishte Kievi, kryeqyteti i Ukrainës.

Avioni u përplas disa orë pasi Irani kishte qëlluar një raketë balistike me shënjestër dy baza ushtarake të forcave amerikane në Irak, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit Ushtrisë Revolucionare Iraniane Qassem Soleimani.

Aeroplani që u përplas ishte i modelit Boeing 737-800

Boeing 737-800 është një lloj shumë i përhapur avionësh me dy motorë i përdorur zakonisht për fluturime me destinacione jo shumë të largëta. Në botë numërohen mijëra aeroplanë të tillë të cilët operojnë fluturime çdo ditë.

I prezantuar rreth fundit të viteve 1990, është një model më i vjetër se Boeing 737 MAX, fluturimet e të cilit janë pezulluar për rreth 10 muaj pas dy përplasjeve fatale.

Në vitet e fundit, një numër i madh avionësh të modelit 737-800 janë përfshirë gjithashtu në aksidente vdekjeprurëse.

Tregime të lidhura