Bota

Irani qëlloi gabimisht avionin ukrainas, raportojnë mediat amerikane

Përditësimi i fundit: 09/01/2020 - 18:22
Text size Aa Aa

Burime nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë akses në raportet e shërbimeve të inteligjencës, thonë se kanë arsye për të besuar se një raketë anti-aeroplan ka rrëzuar avionin ukrainas, duke vrarë 176 personat në bord, pak minuta pas nisjes së fluturimit.

Vlerësimi i inteligjencës amerikane vjen pas hetimeve paraprake iraniane, ku thuhej se pilotët nuk kanë kërkuar ndihmë në radio, por janë munduar të kthehen mbrapsht në aeroport.

Presidenti Trump thotë se ka dyshime për çfarë mund të ketë ngjarë gjatë rrëzimit të avionit në Iran.

Trump shton më tej se dyshohet që aksidenti nuk ka ndodhur për shkak të problemeve teknike.

I pyetur gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se çfarë mendonte se i kish ndodhur avionit, Trump u përgjigj “Kam dyshimet e mia”.

“Nuk dua ta them, sepse njerëz të tjerë kanë dyshimet e tyre,” tha Trump, por shtoi, “Dikush mund  të ketë kryer një gabim nga pala tjetër ... jo nga sistemi ynë. Nuk ka të bëjë me ne”.

“Ishte duke fluturuar mbi një lagje mjaft të keqe. Mund të ketë qenë një gabim. Disa thonë se ishte problem teknik. Personalisht, as nuk e mendoj se kjo mund të ishte çështja”.

I pyetur nëse mendonte se avioni ishte rrëzuar për shkak të një aksidenti, Trump tha, “Nuk e di. Me të vërtetë nuk e di … i takon atyre. Në një farë pike do të lëshojnë kutitë e zeza”.

Presidenti përmbylli fjalën e tij duke thënë, “Diçka shumë e tmerrshme ka ngjarë”. 

Avioni u rrëzua vetëm disa orë pasi Irani lëshoi një sulm me raketë balistike kundër bazës ushtarake amerikane në Irak.

Burimet kanë cituar shërbimet e inteligjencës amerikane.

Gjithashtu, dëshmitarë nga ekuipazhi i një avioni që ishte duke fluturuar aty pranë, përshkruajnë se kanë parë avionin të përfshirë nga flakët, përpara se të rrëzohej në tokë.

Përplasja me tokën ka shkaktuar një shpërthim masiv, i cili mund të ketë ndodhur pasi avioni ishte i tej mbushur me karburant për fluturimin drejt Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.

Kreu i Aviacionit Civil të Iranit, Ali Abedzadeh, ka  thënë se nuk do t'i dorëzojnë regjistrimet e fluturimet, të njohura ndryshe si kutitë e zeza, tek Shtetet e Bashkuara.

Gjenden kutitë e zeza

Fluturimi PS752 i Linjës Ajrore Ndërkombëtare të Ukrainës u nis të mërkurën në 6:12 të mëngjesit, sipas orës lokale, me afërsisht një orë vonesë. Më pas, u ngrit në drejtim të perëndimit, duke arritur një lartësi prej afro 2 mijë metrash.  

Raporti paraprak iranian gjithashtu konfirmoi se dy kutitë e zeza, që përmbajnë të dhëna dhe komunikime nga kabina e pilotit janë gjetur, por kanë pësuar dëmtime dhe si rrjedhojë një pjesë e regjistrimeve nuk mund të rikuperohet.

Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë në Ukrainë, ka thënë se zyrtarët kanë disa teori për sa i përket rrëzimit të avionit, ku hyjnë dhe dyshimet se mund të ketë qenë një sulm me raketë.

“Një goditje nga një raketë, ndoshta nga një sistem raketash Tor, është ndër teoritë kryesore, teksa në internet ka dalë informacion për përbërjen e raketës së gjendur pranë vendngjarjes,” tha Danilov.

Hetuesit nga Ukraina, kanë mbërritur tashmë në Teheran dhe janë ende duke pritur autorizimin nga autoritetet iraniane për të ekzaminuar vendin ku është përplasur avioni.

Tor, është një sistem raketash i prodhuar në Rusi. Rusia i ka dërguar Iranit 29 raketa Tor-M1 në 2007-n, si pjesë e një kontrate 630 milion euro, të firmosur në dhjetor të 2005-s.

63 shtetas kanadez në bordin e PS752

Në bord gjendeshin 167 pasagjerë, nëntë anëtarë ekuipazhi nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë 82 iranianë, të paktën 63 kanadezë dhe 11 ukrainas, sipas zyrtarëve. Pasagjerët besohet se kanë qenë studentë ndërkombëtarë, që po kryenin studimet në Kanada dhe se po ktheheshin në Toronto nga Kievi pasi kishin vizituar familjet e tyre gjatë pushimeve të dimrit.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha se planifikon të bisedojë për hetimin me presidentin Iranian Hassan Rouhani.

“Padyshim, prioriteti i Ukrainës është të zbardhë shkaqet e rrëzimit të avionit”, tha Zelenskiy.

 Irani refuzon të dorëzojë kutitë e zeza pas rrëzimit të avionit

Avioni i rrëzuar në Iran, zbulohen kutitë e zeza

Tregime të lidhura