Bota

Iran, arrestime pas rrëzimit të avionit që la pas 176 viktima

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 11:46
Text size Aa Aa

Sipas një deklarate të autoriteteve në Iran këtë të martë, disa persona janë arrestuar pas rrëzimit aksidental të avionit ukranias që la pas 176 viktima.

Njoftimi erdhi pak pasi president i Iranit mblodhi një gjykatë speciale për të hetuar incidentin e javës së kaluar.

Zëdhënësi i gjyqësorit Gholamhossein Esmaili, sipas medias shtetërore të Iranit, deklaroi se mbi këtë çështje janë kryer hetime dhe si pasojë janë arrestuar disa persona. Megjithatë ai nuk përmendi numrin e personave të arrestuar apo emrat e tyre.

Irani, që si fillim i mohoi akuzat se një prej raketave të qëlluara prej tyre kishte rrëzuar avionin, pranoi tre ditë pas aksidentit, se një punonjës i forcave të Iranit e kishte qëlluar avionin gabimisht.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha në një deklaratë për mediat se “kjo nuk është një çështje e zakonshme. E gjithë bota do ta shikojë procesimin e kësaj gjykate”.

Ai e quajti këtë incident si “një gabim të dhimbshëm dhe të pafalshëm” dhe premtoi se administrata do ta ndiqte të gjithë çështjen me shumë kujdes.

“Përgjegjësia bie në më shumë se vetëm një person”, tha ai duke shtuar se ata që do të cilësoheshin si përgjegjës do të dënoheshin.

“Ka edhe të tjerë, dua që kjo çështje të shqyrtohet ndershmërisht”, deklaroi presidenti iranian, pa dhënë shpjegime.

Rouhani e quajti pranimin e gabimit të aksidentit të javës së kaluar nga forcat iraniane, si hapin e parë drejt të vërtetës.

Avioni, destinacioni i të cilit ishte kryeqyteti ukrainas, Kievi, kishte në bord 167 pasagjerë dhe nëntë punonjës të ekuipazhit të nënshtetësive të ndryshme. Midis tyre edhe fëmijë, duke përfshirë edhe një foshnje.

Irani qëlloi avionin në përpjeke për tu hakmarrë ndaj SHBA gjatë një sulmi me raketa në dy baza ushtarake të ushtarëve amerikanë në Irak.

Asnjë nuk mbeti i vdekur apo i plagosur nga ky sulm që erdhi si pasojë e vrasjes së gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani nga forcat amerikane.

Vrasja e tij dhe mungesa e transparencës ndaj ngjarjes kanë nxitur zemërim dhe trazira në Iran ndaj qeverisë së vendit me protesta që vijojnë në vend për ditë të tëra.  

Video në rrjetet sociale tregojnë forca të sigurisë iranianë që gjuajnë gaz lotsjellës në rrugë të Iranit për të shpërndarë turmat e njerëzve që protestojnë.

Tregime të lidhura