Bota

Iranianët refuzojnë të shkelin mbi flamurin amerikan gjatë protestave

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 10:38
Text size Aa Aa

Qytetarët iranianë kanë refuzuar të shkelin mbi flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit gjatë protestës së tyre të fundit.

Video të publikuara në rrjetet sociale dhe nga agjencia “Reuters” tregojnë se studentët teksa kanë ecur kanë shmangur flamujt e vizatuar në rrugë më 9 janar, pas vrasjes së gjeneralit Soleimani.

Protestuesit mbushën rrugët e Teheranit për të manifestuar kundër udhëheqësve klerikë të vendit pas pranimit të rrëzimit të avionit të linjës ajrore ukrainase dhe forcat e policisë u angazhuan për t’u përballur me ta.

Javën e kaluar presidenti Hasan Ruhani e cilësoi rrëzimin e avionit një “gabim fatal” dhe deklaroi se forcat ajrore iraniane ishin përgjigjur gabimisht ndaj një alarmi pasi Republika Islamike kreu sulmin me raketa ndaj objektivave amerikanë në Irak.

Irritimi publik në Iran, i cili zgjat prej disa ditësh, shpërtheu pasi ushtria pranoi përgjegjësinë e saj për ngjarjen që mori 176 jetë njerëzish.

Tregime të lidhura