Bota

Mbretëresha Elizabeth II: "Harry dhe Meghan kanë mbështetjen time të plotë"

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 11:34
Text size Aa Aa

Mbretëresha Elizabeth II thotë se e mbështet vendimin e nipit të saj, Princit Harry dhe të bashkëshortes së tij Meghan Markle, për t’u larguar nga familja mbretërore në mënyrë që të rinisin jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada.

Në një deklaratë të publikuar nga Pallati Mbretëror të hënën, ajo thotë se Familja Mbretërore kishte organizuar “diskutime konstruktive” për sa i përkiste të ardhmes së Dukës dhe Dukeshës së Suseksit, dhe se ishte “tërësisht mbështetëse” ndaj vendimit të tyre për të krijuar një jetë të re.

“Edhe pse ne do të kishim preferuar që ata të vazhdonin të ishin anëtarë me kohë të plotë në Familjen Mbretërore, ne e respektojmë dhe kuptojmë dëshirën e tyre për të jetuar një jetë më të pavarur duke vazhduar të jenë një pjesë e rëndësishme e familjes sime”, thuhej në deklaratë.  

“Harry dhe Meghan e kanë bërë të qartë se ata nuk duan që jeta e tyre të jetë e varur nga fondet publike. Në këtë mënyrë, është rënë dakord se do të ketë një periudhë tranzicioni gjatë kohës që Duka dhe Dukesha do të jetojnë në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, shpjegohej më tej në deklaratë.

Mbretëresha shkruante se këto janë çështje të ndërlikuara dhe i takojnë familjes së saj për t’u gjetur zgjidhje edhe pse duhej akoma pak më shumë punë, por së shpejti do të merrej një vendim përfundimtar.

Harry dhe Meghan habitën të gjithë Britaninë javën e kaluar kur thanë se do të tërhiqeshin nga postet e tyre si anëtarë të Familjes Mbretërore.

Pas këtij vendimi Meghan udhëtoi për në Kanada për të qenë me fëmijën e tyre 8-muajsh, Archie-n.

35-vjeçari Harry është një nga anëtarët më të famshëm të Familjes Mbretërore të Britanisë dhe ka pasur prej një kohe të gjatë një marrëdhënie të vështirë me mediat britanike, veçanërisht ndaj komenteve negative për gruan e tij dhe shtatzanisë së saj vitin e kaluar.

Jo më vonë se të hënën, Harry dhe vëllai i tij, Princi William, dorëzuan një ankesë zyrtare kundrejt lajmeve të një gazete në Mbretërinë e Bashkuar.

Tregime të lidhura