Bota

Programi radiofonik në qytezën indiane u jep zë fëmijëve që punojnë

Përditësimi i fundit: 12/02/2020 - 17:51
Text size Aa Aa

Shitësja e tullumbaceve, Nisha, e cila është vetëm 9 vjeç, tha se ngjyra e saj e preferuar ishte lejlaja, ndërsa fliste në mikrofon në një program radiofonike në Indinë e Veriut, dedikuar fëmijëve që punojnë.

Nisha është një ndër disa prej fëmijëve që punojnë dhe jetojnë në rrugët e Gorakhpur, një qytezë e varfër ku puna e fëmijëve vazhdon të jetë shumë e përhapur.

“Kam dëgjuar se ti i shpërndan disa fëmijëve tullumbacë pa kërkuar para në këmbim”, e pyeti Nishën DJ i radios Jyoti Singh në kanalin radiofonik “Loudspeaker”, i cili u hap vitin e kaluar nga një organizatë bamirësie anti-trafikut që fokusohet në problemet e fëmijëve.

“Po, e bëj këtë kur i shikoj të qajnë”, tha Nisha ndërsa lëvizte në karrigen rrotulluese gjatë edicionit të ri të përjavshëm të radios që përfshin fëmijët të cilët punojnë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës thotë se në Indi ka rreth 10 milionë punëtorë të moshave 5 deri në 14-vjeçare dhe rreth 150 milionë fëmijë të cilët punojnë në mbarë botën.

Ligji indian ndalon punësimin e çdokujt nën moshën 15-vjeçare, por fëmijët mund të mbështesin biznesin e familjes pas orarit të shkollës.

Aktivistët thonë se ky koncesion për bizneset e familjes ka sjellë punësimin e fëmijëve në punishtet e tullave, bizhuterive, rrobave, dhe në fabrikat e këpucëve si dhe në rrugë apo stacionet e trenit duke shitur tullumbace, ujë apo çaj.

Sipas aktivistëve fëmijët që punojnë në rrugë janë forma më e shpeshtë, por autoritetet nuk i japin të njëjtën vëmendje me ata që punojnë në punishtet e tullave apo në fabrika.

“Fëmijët në rrugë janë fëmijë të cilët punojnë, por nuk janë viktima të trafikimit që i ka ndarë nga familjet e tyre”, tha Vishwa Vaibhav Sharma, themeluese e “Shoqërisë së Sigurt”, organizata që prezantoi kanalin radiofonik “Loudspeaker” vitin e kaluar.

Organizata bamirëse e prezantoi këtë hapësirë në radio mbi fëmijët të cilët punojnë, rreth katër muaj më parë, për t’i dhënë fëmijëve një vend ku mund të shprehin mendimet e tyre dhe për t’i dhënë qytezës një mësim mbi empatinë dhe ligjet e punës.

“Zyrtarët e policisë në Gorakhapur kanë marrë instruksionet e duhura për të kontrolluar të gjitha format e abuzimit ndaj fëmijëve”, thanë oficerët.

Mithai Lal Gupta, anëtar i Komitetit të Mirëqenies së Fëmijëve në Gorakhapur, tha se vendosja e fëmijëve të cilët punojnë në disa streha, nuk ishte zgjidhja e duhur pasi ata filluan të punonin përsëri menjëherë pasi dolën nga strehat.

“Ne e kemi një strehë, por nuk është idealja për fëmijët të cilët punojnë në rrugë. Çfarë mund t’i ofrojmë ne atyre”? – u shpreh Gupta.

“Shoqëria e Sigurt” mundëson mësuese që kanë për qëllim inkurajimin e prindërve për t’i lënë fëmijët të studiojnë, për të cilën Sharma tha se kishte rezultate pozitive.

Mes dhjetëra fëmijëve që ishin në studio me Nishën, më shumë se gjysma e tyre kishin ndaluar së punuari.

Singh tha se hapësiraradiofonike në “Loudspeaker” fokusohej tek fëmijët dhe jo tek puna e tyre, ku përfshihen edhe raporte të fëmijëve, në gazetat lokale, që ishin punësuar si shërbëtorë në shtëpi, duke theksuar se ka akoma shumë punë për të bërë, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj fëmijëve që punojnë.

“Disa shesin tullumbace, disa punojnë si shërbëtorë, të tjerë punojnë në stenda çaji. Por ne nuk nxjerrim në pah punën e tyre. Ata nuk kanë një rrugë dalje si fëmijët e tjerë”, tha DJ Singh.

“Ne i bëjmë të këndojnë dhe të kërcejnë, ata janë folës në radio për një ditë dhe historitë e tyre dalin në pah në copëza të vogla”.

 

Raportim nga Roli Srivastava, Redaktim i Belinda Goldsmith.

Tregime të lidhura