Bota

Coronavirusi shënon rastin e parë në Afrikë

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 19:19
Text size Aa Aa

Të premten, Egjipti ka konfirmuar rastin e parë të coronavirusit COVID-19 duke shënuar pacientin e parë nga Afrika.

Rasti u bë publik nga ministri i Shëndetësisë së Egjiptit i cili tha se pacienti ishte një shtetas i huaj që nuk kishte shfaqur simptoma, por ishte identifikuar në bazë të vendeve ku ai kishte udhëtuar.

Khaled Megahed, zëdhënësi i ministrisë, tha se kishin kryer testet laboratorike dhe se pacienti ishte vënë në karantinë, ndërkohë që është njoftuar dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.  

Më herët,  OBSH-ja tha se qeveritë dhe kompanitë e mëdha farmaceutike duhet të fillojnë menjëherë punën për të zhvilluar një vaksinë kundër coronavirusit COVID-19, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten.

“Vendime të mëdha” duhet të ndërmerren pasi vaksina do të kërkojë “një investim gjigand dhe sektori publik do duhet të marrë parasysh disa nga risqet me sektorin privat”, tha Michael Ryan, drejtori i emergjencave te OBSH në Gjenevë.

“Kjo punë kërkon me qindra miliona dollarë”, tha ai dhe mund të jetë e nevojshme të krijohen një “sërë vaksinash pa një lloj sigurie se njëra prej tyre mund të funksionojë”.

Kjo deklaratë ka ardhur pasi më shumë se 13 mijë raste të reja janë konfirmuar pas mënyrës të re të diagnostikimit të sëmundjes, duke e çuar numrin e personave të infektuar në gjithë botën në 63,851, prej të cilëve 1,380 kanë vdekur në Kinë.

Të premten, Japonia konfirmoi rastin e ri të një 70-vjeçari, një ditë pasi vendi raportoi për viktimën e parë nga virusi, një grua e moshuar japoneze.

Japonia tashmë ka 252 raste të konfirmuara, duke përfshirë 218 raste në një anije pushimi që është vënë në karantinë në Jokohama.

Të enjten, Kina njoftoi për 15 mijë raste të reja të coronavirusit COVID-19, një shifër e madhe për shkak të mënyrës së re të diagnostikimit të virusit.

Një grafi e kraharorit është tashmë e mjaftueshme për të diagnostikuar virusin, ndërsa më parë, mediat kineze shkruajnë, se kryhej testi i acidit nukleik. Komiteti i Shëndetit të Hubeit ka konfirmuar 242 viktima të reja në provincë, rritja më e madhe në 24 orë që nga koha kur nisi kriza në dhjetor.

Lajmërimi vjen pak pasi Organizata Botërorë e Shëndetësisë (OBSH) tha se numri i rasteve të reja të konfirmuara të coronavirusit është “stabilizuar”, por se ishte “ende herët” për të thënë nëse është ndalur përhapja e virusit.  

Që nga 4 shkurti, nuk është raportuar për persona të infektuar në shtete të reja dhe nga 48 rastet e reja të konfirmuara jashtë Kinës të martën, 40 ishin në bordin e anijes së pushimeve Diamond Princess, që ndodhen në karantinë në Jokohama, Japoni.

“Na është çelur një dritare shprese për t’i dhënë fund këtij virusi”, tha për gazetarët në Gjenevë , Michael Ryan, kreu i departamentit të emergjencave tek OBSH-ja.

Ai shtoi se tashmë është më e qartë mënyra e përhapjes së coronavirusit, me vetëm 8 raste në gjithë botën për të cilat burimi i transmetimit të sëmundjes nuk është i qartë. 

Megjithatë, ai theksoi se duhet të bërë kujdes, duke thënë se “sot është ende shumë herët për të parashikuar fillimin, mesin apo fundin e kësaj epidemie”.

Ndër të tjera në konferencë u tha se izolimi i Wuhanit dhe pakësimi i fluturimeve nga zonat më të prekura, e kanë shmangur përhapjen e virusit.

“Numri i rasteve të reja të konfirmuara nga Kina është stabilizuar në javën e fundit, por kjo duhet interpretuar me shumë kujdes”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shtoi më tej se OBSH-ja ka udhëzuar sesi të trajtohen rastet e shëndetit publik në anijet e mëdha “dhe i nxisim vendet dhe kompanitë t’i ndjekin këto udhëzime”.  

Tregime të lidhura