Bota

Coronavirusi dëmton turizmin, kinezët “tmerrojnë” vizitorët, anulohen prenotimet në Evropë

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 15:23
Text size Aa Aa

Coronavirusi ka dëmtuar rëndë turizmin global. Në fillim ishin vendet aziatike pranë Kinës që e pësuan, por tani anulime masive të prenotimeve kanë prekur vendet evropiane.

Në Santorini, destinacion i preferuar i kinezëve që zgjedhin Greqinë për pushime, ka pasur një efekt domino.

 “Anulimet kanë arritur deri në 60-70 për qind në shkurt dhe mars. Por ne druhemi se do të kemi 100 për qind të anulimeve për muajin prill, pasi konsullatat kanë ndërprerë dhënien e vizave. Ne kemi klientë nga e gjithë bota që do të vinin në Santorini. Por tani ata telefonojnë hotelet dhe pyesin nëse atje do të ketë qytetarë kinezë. Nëse ka, ata nuk duan të vijnë dhe nuk do të vijnë në Santorini”, thotë Antonis Iliopoulos, president i Santorini Hoteliers.

E njëjta gjë po ndodh në gjithë Evropën. Turistë nga vendet e tjera, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, po anulojnë udhëtimet ku mund të ketë edhe pushues kinezë.

Turistët nga Azia në përgjithësi përballen me frikë dhe izolim. Vendasit i mbajnë në distancë. Teksa gazetarët përpiqen të intervistojnë një turist nga Koreja e Jugut, një shofer kalon pranë duke i bërtitur: “duhet të vësh maskën”.

 “E kam maskën në çantë, por nuk dua ta vë”, përgjigjet koreano-jugori.

Li Fang mbërriti në Athinë nga Pekini dy ditë më parë. Ai u pyet nëse vë re frikë tek njerëzit kur i takon.

 “Ndoshta. Them ndoshta, por njerëzit e këtij qyteti janë të mirë. Taksisti, kamerieri dhe të tjerë janë të mirë. Askush s’na ka bezdisur”, thotë turisti nga Kina.

Hoteleria në Greqi i ka kërkuar qeverisë helene të kërkojë tregje alternative për të mbuluar humbjet. Ndërsa në Itali, destinacioni më popullor i turistëve kinezë, shoqata kombëtare e hotelerisë, paralajmëroi se situata mund të destabilizojë ekonominë e dobët.

Tregime të lidhura