Bota

Vendi i mbytur nga mbeturinat e jashtme e të brendshme

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 16:06
Text size Aa Aa

Porti i Varnës, në brigjet e detit të Zi është destinacioni ku mbërrijnë mbetjet italiane. Pirgje të mëdha dhe rafte të tëra kontejnerësh të mbushur me mbeturina po presin fatin e tyre. Ngarkesa e parë me rreth 30 kontejnerë u kthye mbrapsht javën e kaluar në portin e Salernos, pranë Napolit, por qindra të tjerë mbeten.

“Ky port është vetëm ndalesa e parë e këtyre kontejnerëve me mbeturina. Ata më pas dërgohen në mbarë vendin, në vendgrumbullime të ndryshme, landfille ilegale ose direkt në industri për t’u djegur”, është shprehur gazetari Damian Vodenitcharov.

Prokuroria e Varnës është përpjekur të ndalojë këto dërgesa ilegale.

“Mbeturinat në këta kontejnerë janë ndryshe nga ato që thuhet në dokumente. Në dokumente thuhet se janë vetëm plastikë dhe gomë, por e dimë që atje ka edhe mbetje metalike, druri dhe xhami, gjë që e bën këtë tërësisht ilegale”, ka thënë prokurorja Vladislava Panazotova.

Ndërsa vetë mbetjet mund të mos jenë të rrezikshme, djegia e tyre në impiante të ndryshme që i përkasin oligarkut bullgar Hristo Kovaçki mund të jetë. Impianti në Bobov Dol, që ndodhet rreth 70 kilometra në jug të Sofjes, ka një sasi të madhe mbeturinash që bëhen gati për djegie. Ndërsa procesi është ndalur në kuadër të hetimeve, ndalimi është vetëm një masë e përkohshme. Popullsia lokale dhe autoritetet janë të shqetësuar për pasojat tek shëndeti i tyre.

“Problemi kryesor me të cilin po përballemi janë emetimet kur mbeturinat digjen. Ato janë shumë të rrezikshme për popullsinë. Ekspertët thonë se do të kemi një rritje të rasteve të kancerit në 5 vitet e ardhshme nëse djegia e mbetjeve nuk ndalohet. Jam shumë e shqetësuar”, është shprehur kryebashkiakja e Bobov Dol, Elsa Velichkova.

Lejet për djegien e mbeturinave të brendshme e të jashtme janë dhënë nga ministria përkatëse, pa marrë parasysh impaktin tek ambienti. Gjithashtu është e paqartë nëse impiantet kanë pajisjet e duhura për të djegur mbetjet në vend të qymyrit të djegshëm. Impianti në Bobov Dol nuk iu përgjigj kërkesës për një intervistë  dhe po ashtu Ministria e Ambientit refuzoi. Ndërkohë, djegia e mbeturinave është biznes i mirë për fabrikat dhe termocentralet bullgare, pasi ato po paguhen për asgjësimin e tij në vend që të paguajnë për një karburant më konvencional.

“Kontrata e qytetit të Sofjes me impiantet në Bobov Dol dhe Sliven u publikua. Në vartësi të gjendjes së mbeturinave, impiantet po paguhen diku mes 10 deri në 40 euro për ton për djegien e tyre. Ndaj kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me mbetjet e importuara, por edhe ato të brendshme”, ka thënë Danita Zarichinova nga shoqata Miqtë e Tokës.

Cilido që të jetë rezultati i hetimeve në zhvillim, Bullgaria nuk do ta ndalojë importin e mbetjeve, pasi është e pamundur në bazë të rregullave të tregut të brendshëm të BE-së. Kjo nuk do t’i shërbente as interesave të saj, pasi vendi është edhe eksportues mbetjesh. Rreth 370 mijë tonë u importuan në 2017-n dhe mbi 560 mijë u eksportuan të njëjtin vit.