Bota

Antarktida, temperatura shkon për herë të parë mbi 20 gradë Celsius

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 20:02
Text size Aa Aa

Antarktida ka shënuar për herë të parë një temperaturë prej më shumë se 20 gradë Celsius që nga momenti që kanë nisur matjet, duke shkaktuar pasiguri për paqëndrueshmërinë e klimës në vendin ku gjendet sasia më e madhe e akullit në botë.

Temperatura 20.75 gradë celsius, e regjistruar nga shkencëtarë brazilianë në Ishullin Sejmur më 9 shkurt, ishte pothuajse një gradë e plotë më shumë se rekordi i mëparshëm prej 19.8 gradë Celsius që u shënua në Ishullin Signi në janar të vitit 1982.

Rasti në fjalë vjen pas një tjetër rekordi të temperaturave, atij të 6 shkurtit në qendrën kërkimore Esperanca me 18.3 gradë Celsius, e cila ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në gadishullin e Antarktidës.

Këto rekorde do duhet të konfirmohen nga Organizata Botërore e Meteorologjisë, por ato përkojnë me një fenomen të ngjashëm që po ndodh në gadishullin dhe ishujt përreth, temperatura e të cilave është ngrohur me afro 3 gradë Celsius që nga periudha para industrializimit, ndër normat më të shpejta në planet.

Shkencëtarët, që mbledhin të dhëna nga stacione të ndryshme çdo tre ditë, e kanë cilësuar rekordin e ri “si të pabesueshëm dhe aspak normal”.

Shkencëtarët në programin brazilian të Antarktidës thonë se kjo dukuri duket se është ndikuar dhe nga luhatje në rrymën e oqeaneve dhe ngjarjet e El Ninjos: “Kemi ndryshime klimatike në atmosferë, të cilat janë të lidhura ngushtë me ndryshimet e permafrostit dhe oqeanit.”

Efekti ndryshon përgjatë gadishullit, i cili përfshin tokën, ishujt dhe oqeanin. Në rajon ndodhet rreth 70 për qind e ujit të pijshëm në formë dëbore dhe akulli. Nëse do të shkrinte e gjitha, niveli i detit do të rritej me 50 deri në 60 metra, por kjo do të kërkonte me breza të tëra. Shkencëtarët e OKB-së parashikojnë se niveli i oqeaneve do të jetë rreth 30 centimetra dhe 110 centimetra më i lartë deri në fund të këtij shekulli, në varësi të përpjekjeve për të ulur emetimet dhe ndjeshmërinë e shtresave të akullit.