Bota

SHBA-ja padit kompaninë kineze “Huawei” për vjedhje sekretesh  

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 13:35
Text size Aa Aa

Prokurorët amerikanë kanë ngritur një tjetër padi ndaj gjigantit kinez “Huawei”, duke e akuzuar për vjedhje sekretesh tregtare dhe ndihmë në favor të Iranit. Lëvizja ka gjasa të përshkallëzojë më tej përplasjen mes Shteteve të Bashkuara dhe kompanisë kineze, prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomunikacionit në botë.

Konkretisht, “Huawei” akuzohet se ka vjedhur sekrete nga 6 kompani teknologjike amerikane dhe se ka shkelur ligjin e përdorur për të luftuar krimin e organizuar.

Gjithashtu, kompania akuzohet për bashkëpunim me vende që janë subjekt sanksionesh, si për shembull me Iranin, ku përmes pajisjeve të saj ka ndihmuar qeverinë vendase të gjurmojë, identifikojë dhe arrestojë protestuesit kundër regjimit të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një fushatë serioze kundër “Huawei”, me argumentin se mund të përgjojë abonentët e saj për llogari të qeverisë kineze. Vitin e kaluar, Uashingtoni zyrtar e futi kompaninë në listën e zezë për motive që lidhen me sigurinë kombëtare.

Nga ana e tij, “Huawei” ka reaguar duke deklaruar se padia është pjesë e përpjekjeve të administratës amerikane për të dëmtuar reputacionin e saj për motive që lidhe me konkurrencën dhe që nuk kanë lidhje me zbatimin e ligjit. Në janar të vitit 2019, kompania u vetëdeklarua e pafajshme ndaj akuzave të bëra ndaj saj për mashtrim bankar, shkelje të sanksioneve ndaj Iranit dhe pengim të drejtësisë.

Tregime të lidhura