Bota

Çfarë është COVID-19, si transmetohet dhe sa do të zgjasë

Përditësimi i fundit: 13/03/2020 - 19:54
Text size Aa Aa

Që nga janari, muaji kur virusi u shfaq për herë të parë në Wuhan, i cili është edhe epiqendra e këtij virusi, COVID-19 është përhapur në më shumë se 140 shtete, në gjashtë kontinente me 138,959 raste të konfirmuara dhe 5,111 viktima. Më shumë se 3 mijë prej tyre vetëm në Kinë, 1 mijë në Itali dhe rreth 500 në Iran.

Coronaviruset kalojnë nga kafshët tek njerëzit. Viruse të tjerë që mund të keni hasur më parë nga po e njëjta familje janë Sindroma e Rëndë Akute Respiratore (SARS), e cila u transmetua nga macja tek njeriu dhe Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERS) e cila u transmetua nga gamilet.

Shkencëtarët tashmë janë në dijeni të disa llojeve të coronavirus që qarkullojnë tek kafshët, të cilat ende nuk kanë kaluar te njeriu. Ndërkohë, COVID-19 është një coronavirus i ri, që do të thotë një degëzim i ri që nuk ishte identifikuar më parë tek njerëzit.

Emërtimi “coronavirus” erdhi pasi shkencëtarët që e pikasën për herë të parë këtë virus në mikroskop, në vitin 1968, menduan se i përngjante kurorës diellore, rrethi prej gazi që qëndron përreth diellit.  

Nga erdhi ky virus?

Zanafilla e këtij virusi është Wuhani, një qytet prej 11 milionë banorësh në pjesën qendrore të Kinës, në provincën e Hubeit. Disa muaj më pas, Hubei shënoi mbi 3 mijë viktima, ndërsa tashmë 51,553 banorë të kësaj province janë shëruar, sipas autoriteteve kineze.  

Mendohet se virusi është transmetuar përmes lakuriqit të natës dhe së epiqendra ishte markata e peshkut të Wuhanit.  

Gjenetikisht, virusi i ri është 80 për qind i ngjashëm me SARS, i cili u përhap me shpejtësi në 2002 dhe 2003 dhe i mori jetën 800 personave.

Cilat janë simptomat?

Ky virus, në format e tij më akute, mund të shkaktojë pneumoni, sindromën akute respiratore dhe mosfunksionim të veshkave.

Shenjat më të zakonshme janë simptomat respiratore, temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Një nga problemet e coronavirus është se simptomat mund të jenë më pak të dallueshme, veçanërisht tek të rinjtë dhe personat e shëndetshëm, ashtu siç ndodh rëndom edhe me rastet e ngjashme të gripit të zakonshëm.  

Si rrjedhojë, autoritetet shëndetësore i kanë kërkuar personave që mendojnë se i kanë këto simptoma që të mos paraqiten personalisht nëpër qendrat shëndetësore, por të vetizolohen për 14 ditë.

Një problem tjetër është se disa persona, e në veçanti fëmijët, mund të mos shfaqin as edhe një lloj simptome, por megjithatë rrezikojnë të infektojnë të tjerët.

Coronavirus ka vdekshmëri më të lartë tek personat mbi moshën 70 vjeç dhe ata që kanë patologji të mëparshme.

Si transmetohet virusi?

Sëmundja mund të përhapet nga personi në person përmes sekrecioneve të hundës ose të gojës, të cilat transmetohen më pas përmes kollës ose teshtimës.

Prandaj autoritetet shëndetësore i kanë bërë thirrje njerëzve që të ruajë një distancë prej të paktën 1 metër dhe kanë këshilluar ata që janë të sëmurë që të mbulojnë gojën kur kolliten apo teshtijnë.

Përmes kollitjes, këto sekrecione spërkaten mbi sende apo sipërfaqe të ndryshme të cilat më pas transmetohen tek një person i dytë në momentin që ai i prek ato sipërfaqe dhe më pas prek hundën ose gojën e tij.

Sa do të zgjasë?

Në fakt, kjo është pyetja një milion dollarëshe. Që nga shumëfishimi i rasteve në Kinë në ditët e para të virusit, si të shifrat e të prekurve ashtu edhe numri i viktimave kanë rënë ndjeshëm në javët e fundit. Ndërmjet 22 janarit dhe 19 shkurtit rastet shkuan nga 0 në 75 mijë në Kinë. Nga 23 shkurti në 12 mars shifrat ishin afro 80 mijë.

Autoritetet kineze thonë se kjo është për shkak të politikave efikase të frenimit të sëmundjes, duke përfshirë dhe kufizime të rrepta mbi lëvizjen e miliona banorëve.

Nga ana tjetër, Italia është në fazat e hershme të shpërthimit të kësaj epidemie: nga 3 raste në 15 shkurt në 15 mijë në 12 mars. Përhapje në vendet e tjera europiane, duke përfshirë edhe Francën, Gjermaninë dhe Spanjën ka qenë më e ngadaltë, por ende paraqet rrezik.

Sipas parashikimeve, vaksina për coronavirus është të paktën një vit larg, edhe pse shkencëtarë në Izrael kanë thënë së fundmi se janë vetëm “disa javë larg” zbulimit të vaksinës.

Tregime të lidhura