Bota

A po ndikojnë rastet e pazbuluara në përhapjen e shpejtë të COVID-19 në Europë?

Përditësimi i fundit: 18/03/2020 - 15:23
Text size Aa Aa

Rastet e simptomave të lehta të coronavirusit ishin një faktor i rëndësishëm në përhapjen e shpejtë të coronavirusit në Vuhan të Kinës, thonë shkencëtarët nga Shkolla e Shëndetit Publik Mailman në Universitetin e Kolumbias në SHBA.

Në shumë vende të Europës, testet laboratorike janë të rezervuara për ata që janë më të cenuar ndaj sëmundjes si dhe punonjësve të spitaleve që shfaqin simptoma të rënda.

Por ndërsa Bashkimi Europian ka mbyllur kufijtë dhe disa vende kanë urdhëruar izolimin e banorëve në shtëpitë e tyre, OBSH po nxit qeveritë që të testojnë më shumë njerëz.

“Nuk mund të luftohet zjarri symbyllur. Dhe nuk mund ta luftojmë këtë pandemi nëse nuk e dimë se kush është i infektuar”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Përpara se të vendosej karantina në Vuhan më 23 janar, autoritetet nuk ishin në dijeni për 86 për qind të infektuarve, kanë shpjeguar shkencëtarët në hulumtimin e botuar tek Science.

Pikërisht këta persona të paregjistruar si të infektuar ishin burimi i mbi dy të tretave të rasteve të konfirmuara.

“Shpërthimi i të infektuarve në Kinë ndodhi gjerësisht për shkak të individëve që paraqisnin simptoma të lehta ose të padallueshme”  shkruan bashkautori  Jeffrey Shaman, profesor i shkencave të shëndetit mjedisor në Universitetin e Kolumbias.

“Rastet e të infektuarve me simptomat e lehta ose asimptomatikët rrezikojnë të ekspozojnë një pjesë shumë më të madhe të popullatës ndaj virusit” shpjegojnë shkencëtarët e këtij studimi.

Lothar Wieler, kreu i Institutit Robert-Koch në Gjermani tha të martën se vetëm gjysma e të infektuarve paraqesin simptoma të virusit.

Ekspertët e shëndetit publik në Univesitetin e Kolumbias thanë se në Kinë, epidemia ndoqi një rrugë tjetër vetëm pasi shteti filloi të marrë masa të forta shtrënguese duke përfshirë kufizimet e lëvizjeve, vetizolimin dhe teste të shpejta.

 

Lexoni gjithashtu:

Kina nis provat klinike për vaksinën eksperimentale kundër COVID-19

OBSH kërkon më shumë testime për COVID-19

OBSH, si të lahen duart që të shmanget coronavirusi COVID-19

Tregime të lidhura