Bota

COVID-19, nisin testet laboratorike në Europë, ilaçi i ri ofron shpresë

Përditësimi i fundit: 23/03/2020 - 21:37
Text size Aa Aa

Europa ka filluar testimet e para laboratorike të një ilaçi eksperimental për të trajtuar COVID-19 mbi disa mijëra pacientë, duke përfshirë dhe ilaçin e shumëpërfolur kundër malaries.

3,200 pacientë nga Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja do i nënshtrohen këtij testi, ndërsa 800 pacientë prej tyre do të jenë nga Franca, aty ku dhe nisën për herë të parë testimet laboratorike fundjavën e shkuar.

Disa prej medikamenteve që do të përdoren janë barna antivirale Remdesivir (e përdorur në trajtimin e Ebolës), Lopinavir/Ritonavir (e përdorur në trajtimin e HIV/AIDS) dhe hidroksiklorokina (e përdorur në trajtimin e malaries).

“Lista e këtyre barnave potenciale është e bazuar mbi listën e trajtimeve eksperimentale të klasifikuara si prioritet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë” tha specialistja e sëmundjeve infektive Dr Florence Ader nga spitali i Lionit.

Dr Ader është udhëheqësja e palës franceze në këtë projekt për të cilin thotë se do të jetë mjaft elastik në kuptimin që “trajtimet eksperimentale jo efikase do të braktisen dhe do të zëvendësohen me të tjera që do të dalin prej studimeve”.

Studime të shumta do të nisin nga ilaçi malaries

Një prej ilaçeve që do të testohen është hidroksiklorokina, një ilaç i përfolur nga disa organizata për efikasitetin e mundshëm në trajtimin kundër COVID-19, një version më pak toksik i ilaçit të malaries i cili është në qarkullim që prej 1940.

“Kam autorizuar disa testime laboratorike në Francë për qindra pacientë të shtruar në spital, ku hyn edhe testi i kolorokinës. Do ju informoj për çdo rezultat qoftë pozitiv apo negativ”, tha ministri i Shëndetësisë së Francës Olivier Veran gjatë fundjavës.

Ilaçi është përdorur për trajtimin e 24 personave me COVID-19 në Marsejë në një institutit spitalor universitar dhe rezultatet paraprake janë botuar në 20 mars në revistën shkencore “International Journal of Antimicrobial Agents".

Hulumtimi ka dalë në konkluzionin se trajtimi me hidroksiklorokinë, së bashku me një antibiotik, ka shfaqur një “reduktim/zhdukje” të virusit tek disa pacientë.

“Pas gjashtë ditësh, kishte një ndryshim domethënës midis pacientëve të trajtuar me këtë medikament kundrejt të tjerëve”, tha eksperti i sëmundjeve efektive Didier Raoult nga instituti i Marsejës ku po kryhen testimet. Ai konfirmoi se 75 për qind e pacientëve janë përmirësuar pas trajtimit me disa prej tyre duke shfaqur përmirësim të dukshëm brenda harkut kohor të 48 orëve.

Por janë të shumtë ekspertët që thonë se është ende shumë herët për të thënë nëse ky ilaç është efektiv.

“Kjo nuk është epidemia e parë e një virusi ku kemi një fije shprese për një trajtim të mundshëm dhe më pas rezulton se nuk është aspak efikas. Sot më mjafton shpresa për të bërë çdo gjë në mënyrë që të vërtetojmë nëse funksionon apo jo” tha ministri Veran.

Tregime të lidhura