Bota

OBSH: Pandemia po përshpejton ritmet

Përditësimi i fundit: 23/03/2020 - 20:30
Text size Aa Aa

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pandemia COVID-19 po përshpejton ritmet e përhapjes pasi të dhënat e fundit tregojnë për më shumë se 350 mijë të prekur dhe raste në pothuajse të gjitha vendet e botës.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se shtetet duhet të shtojnë masat mbrojtëse për të luftuar pandeminë, si testimi dhe gjurmimin e kontakteve të personave të prekur.

Ai tha se shtetet nuk mund të fitojnë vetëm “duke u mbrojtur”, por se ato duhet edhe të “sulmojnë”.

OBSH u shpreh se testi është mënyra kryesore, e ndërsa ka përgëzuar shtetet që ia kanë dalë të testojnë me shpejtësi, nga ana tjetër ka këmbëngulur se të gjitha rastet e dyshuara duhen testuar.

Disa vende, nuk kanë pasur nevojë që të vendosin masa izoluese sepse kanë testuar e gjurmuar në mënyrë efektive rastet e dyshuara, ka deklaruar OBSH.

Politika e izolimit “mund të blejë kohë” tha drejtori i emergjencave shëndetësore Dr Mike Ryan, por gjurmimi i kontakteve dhe izolimi i rasteve është çelësi ndaj frenimit të përhapjes së virusit.

“Askush nuk ka qenë i përgatitur në trajtimin e kësaj sëmundjeje”, tha Dr Mike Ryan, teksa u përgjigj për një përhapje të mundshme në Afrikë.

“Shtetet afrikane nuk janë në një situatë të ndryshme dhe disa prej tyre janë në një situatë edhe më të pasigurt.”

Ai shtoi se vendet afrikane kanë një historik të menaxhimit të epidemive dhe tha se OKB është plotësisht e gatshme që t’i mbështesë ato.

Organizata gjithashtu ka paralajmëruar kundër trajtimeve që nuk janë të provuara shkencërisht.

“Deri tani nuk ka ende një trajtim efikas kundër COVID-19”, tha Dr Tedros teksa ka përgëzuar përpjekjet e testimeve klinike.

“Përdorimi i medikamenteve në mungesë të provave të duhura mund të ngjallë shpresë të kota”, ka vazhduar ai teksa ka theksuar se kjo mund të çojë drejt pakësimit të medikamenteve që janë të nevojshme në trajtimin e sëmundjeve të tjera.

Tregime të lidhura