Bota

SHBA, pika ku analizat për COVID-19 bëhen pa zbritur nga makina

Përditësimi i fundit: 23/03/2020 - 17:07
Text size Aa Aa

 Disa shtete në SHBA kanë krijuar pika ku qytetarët mund të bëjnë analizat për coronavirus pa zbritur fare nga makina, dhe pa hyrë në mjediset e brendshme të ndonjë spitali.

Spitali i Arlingtonit në Virxhinia të SHBA-ve ka caktuar një vend ku njerëzit mund të futen me makinë pasi të kenë prenotuar një takim.

Pasi u kontrollohen dokumentet, ata ulin xhamin e makinës dhe një nga personeli mjekësor afrohet për të marrë tamponin për testim.

Përgjigjet u dalin për rreth dy ditë, dhe në këtë mënyrë as nuk rrezikojnë të infektojnë stafin mjekësor, as nuk rrezikojnë të preken vetë nga coronavirusi COVID-19.

Sipas stafit të spitalit, analizat po bëhen vetëm për njerëzit që kanë pasur temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen.

Ata që thjesht kanë dyshime dhe nuk kanë simptoma të ngjashme, duhet të flasin më parë me mjekun e familjes, i cili do të vendosë nëse duhet bërë testimi apo jo.

Më pas, mjafton të plotësojnë një formular dhe të caktojnë orarin e takimit për analiza.

Shtetet që kanë organizuar një sistem të tillë janë Virxhinia, Dellauer, Nju Jorku, Florida dhe Teksasi.

Tregime të lidhura