Bota

“Arrogantë dhe të pandjeshëm” kritika ndaj qytetarëve që injorojnë lutjet për distancim fizik

Përditësimi i fundit: 24/03/2020 - 15:54
Text size Aa Aa

Autoritete nga e gjithë Europa janë duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i përmbahen rregullave të distancimit fizik, teksa rastet e COVID-19 vazhdojnë të shtohen.

As Mbretëria e Bashkuar e as Republika e Irlandës nuk kanë arritur të vendosin shtetrrethimi të plotë. Parqet dhe këndet e lojërave kanë qëndruar të hapura gjatë fundjavës, duke shkaktuar shqetësim për mungesën e distancimit fizik.

Brigada e Zjarrfikësve të Dublinit shpërndanë në rrjete sociale pamje të rrugëve të mbushura me makina në veri të kryeqytetit. 

Policia irlandeze u ka kërkuar qytetarëve që të shmangin vendet e mbipopulluara. “I bëjmë thirrje popullit dhe familjeve që të tregohen të përgjegjshëm, të mos shkojnë në vende ku ka shumë njerëz dhe se nëse ndodhen në ambiente të largohen menjëherë”, thuhej në deklaratë.

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, kanë dalë udhëzime më të rrepta për distancim fizik teksa qytetarët vazhdonin të shkonin nëpër parqe dhe në ambiente tjera publike të përbashkëta.  

Përmes një deklarate për Euronews, Autoriteti Kombëtar i Parkut të Snoudonias tha se “fundjava që lamë pas kishte pasur fluksin më të madh të vizitorëve”, teksa i ka bërë thirrje qeverisë që të “vendosë masa më të rrepta dhe udhëzime për të siguruar vetizolimin e qytetarëve”.

Në Twitter, policia e Kumbrias i ka kërkuar qytetarëve që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme duke thënë se “pavarësisht paralajmërimeve nga qeveria, janë të shumtë ata që vazhdojnë të shkojnë në në Qarkun e Liqenit”.

“Gjendja e jashtëzakonshme nuk është një justifikim për pushime publike”, thuhej në deklaratë.

Disa prej stacioneve të metrove të Londrës vazhdojnë të kenë një fluks të madh, pavarësisht thirrjeve të kryetarit të bashkisë Sadiq Khan për të shmangur sa më shumë udhëtimet e panevojshme.

Në Holandë, policia e Zandvoort tha se kishte ende turma njerëzish që ecnin në plazh pavarësisht direktivave për të mos e bërë këtë.

Autoritetet i kanë kërkuar njerëzve që të shmangin zonat e populluara dhe kanë ndaluar vajtjen në plazhet e Zandvoort dhe Bloemendaal.

“Kur plazhet mbushen, është e vështirë që të mbahet një distancë e sigurt nga njëri-tjetri”, thuhej në deklaratën e autoriteteve.

Përtej oqeanit, në Nju Jork, epiqendrën e coronavirusit në Shtetet e Bashkuara, “Prospect Parc” dhe vende të tjera në qytet kanë qenë mjaft t ë populluara gjatë fundjavës.

Guvernatori Andrew Cuomo i cilësoi grumbullimet në park si “të pandjeshme, arrogante dhe vetë-shkatërruese dhe se është mungesë respekti ndaj të tjerëve kështu që duhet të ndalet menjëherë.”

 

Si po i zbatojnë disa shtete rregullat e distancimit fizik?

Policia në Bruksel po përdor dronë që të sigurohen se po ndiqen rregullat e distancimit fizik nëpër parqe. Në Twitter, policia kryeqytetase konfirmoi se po mbikëqyrin “hapësirat e gjelbra në qytet” njëkohësisht duke përçuar mesazhe me altoparlant në qytet për t’i rikujtuar qytetarët që të respektojnë rregullat shëndetësore.

Policia në Gjermani ka përdorur helikopterë për të mbikëqyrur distancimin fizik përgjatë vijës bregdetare.

“Klima e mirë është shumë tunduese për turistët dhe vizitorët e tjerë” thuhej në deklaratën e policisë së Friesland.

Lexoni gjithashtu:

Kryetarët e bashkive në Itali reagojnë ndaj qytetarëve të pabindur

Coronavirus: Në Suedi shkollat vazhdojnë të qëndrojnë të hapura

Tregime të lidhura