Bota

Përditësimi me situatën e coronavirusit, 1.5 miliardë njerëzve u është kërkuar të kufizojnë lëvizjet

Përditësimi i fundit: 24/03/2020 - 09:14
Text size Aa Aa

Pandemia e coronavirusit COVID-19 po ecën me ritme të shpejta. Deri tani janë prekur 381 mijë persona pothuajse në çdo shtet të botës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i  përgjithshëm i OBSH-së, tha se të gjitha vendet duhet ta luftojnë pandeminë pa u ndalur, duke bërë sa më shumë testime dhe gjurmim të kontakteve që kanë pasur të infektuarit.

Ai tha se shtetet botërore nuk mund të fitojnë vetëm duke u mbrojtur nga virusi, por edhe duhet të sulmojnë.

Në të gjithë botën janë 1.5 miliardë njerëz që u është kërkuar të mos dalin nga shtëpitë, ndërkohë që qeveritë kanë kufizuar lëvizjet dhe veprimtaritë e shumta.

Deri tani, coronavirusi ka infektuar 381.000 njerëz dhe ka marrë 16.500 jetë.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson, urdhëroi kufizimet më të ashpra që ka parë Britania në kohë paqeje.

Masat e Britanisë janë në të njëjtën linjë me ato që janë marrë nga Franca, Italia, Spanja dhe vende të tjera europiane që kanë pasur përhapje të COVID-19.

Xhonson tha në një konferencë për shtyp se njerëzit duhet të dalin nga shtëpitë vetëm për të blerë gjëra bazike, për ushtrime fizike, për të kërkuar ndihmë mjekësore, për të ndihmuar dikë në vështirësi, si dhe për të shkuar në punë, kur puna nga shtëpia nuk është e mundur.

Britania ka mbyllur të gjitha dyqanet jo-bazike dhe hapësirat publike, duke ndaluar grupimin e më shumë se dy personave.

Në Britani kanë humbur jetën 335 pacientë nga coronavirusi, dhe numri i të infektuarve ka shkuar në 6650.

Lajmi i mirë është që Kina ka njoftuar se do të heqë kufizimet e trafikut në Vuhan, duke i dhënë kështu fund bllokimit të qarkullimit që e kishte vënë në zbatim prej muajsh.

Analizat janë thelbësore

OBSH ka thënë se bërja e sa më shumë analizave është diçka thelbësore, për të gjitha rastet e dyshuara.

Sipas OBSH-së, disa vende nuk kanë kufizuar lëvizjen e popullsisë për shkak se i kishin bërë analizat me saktësi dhe kishin gjurmuar të prekurit e mundshëm në kohë.

OBSH tha se politika e bllokimit të lëvizjeve fiton kohë, por zbulimi i të infektuarve, izolimi i tyre dhe gjurmimi i personave që mund t’i kenë kontaktuar është ajo që do ta ndalojë siç duhet përhapjen e virusit.

OBSH tha se Afrika është mjaft e rrezikuar tani, ndërkohë që u bën thirrje njerëzve të mos përdorin ilaçe që ende nuk janë vërtetuar se funksionojnë.

Tabela e mëposhtme tregon numrin e vdekjeve ditore nëpër shtete të ndryshme. 

Tabelat e mëposhtme tregojnë nivelin e vdekshmërisë për çdo 1000 të infektuar, sipas shteteve.

Grupmosha më e rrezikuar nga COVID-19, në grafikun e mëposhtëm

Statistikat më të fundit sipas çdo shteti.

Tregime të lidhura