Bota

India kufizon qarkullimin e 1.3 miliardë banorëve

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 10:13
Text size Aa Aa

India ka pasur 536 raste personash të infektuar me COVID-19, dhe 10 raste të vdekurish, deri tani.

Edhe pse shifrat janë të vogla në krahasim me shumë vende të tjera që po vuajnë përhapjen e virusit, kryeministri tha se vendi me 1.3 miliardë banorë rrezikon ta pësojë më keq se të gjithë nëse nuk merren masa të ashpra që tani.

India ka vetëm 0.5 shtretër spitalesh për çdo 1000 banorë, që është shumë pak në krahasim me 4.3 që kanë në Kinë, dhe 3.2 në Itali, dy vendet më të prekura në botë.

Policia në Indi vendosi barrikada nëpër rrugë, aeroporte e tregje, në përpjekje për të vënë në zbatim urdhrin për të kufizuar lëvizjet për tre javë.

Por pavarësisht mënyrave tepër të rrepta të përdorura nga forcat e rendit, ka qenë e vështirë të pengohet lëvizja e njerëzve nëpër dyqane.

Të mërkurën e 25 marsit, në të gjithë botën janë infektuar rreth 423 mijë persona nga coronavirusi COVID-19, dhe 18.923 kanë humbur jetën.

Italia tani numëron 69.176 të infektuar dhe 6820 të vdekur, duke u renditur e para në botë për vdekje.

Edhe pse të hënën numri i të vdekurve pati një rënie, duke shkuar në 601 për 24 orë, dje u pa sërish një numër i lartë, rreth 743.

 SHBA-të mund të bëhen epiqendra e re, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, teksa numri i të infektuarve ka arritur 55 mijë, e sa vjen dhe i afrohet numrit të Italisë, e cila, bashkë me Spanjën dhe Francën, e bën Europën qendrën qendrën e pandemisë për momentin.

Tregime të lidhura