Bota

Kufizimi i lirive për të luftuar COVID-19, mund të ndihmojë regjimet autoritare

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 16:46
Text size Aa Aa

Në disa shtete, liritë e kufizuara për të luftuar COVID-19 mund të humbasin njëherë e përgjithmonë

Rreth një e treta e popullsisë në botë është në shtetrrethim për shkak të pandemisë së coronavirusit COVID-19.

Për Europën, është pjesa më e madhe e kontinentit dhe shumica e qytetarëve të saj.

Qytetarët i kanë lëvizjet e kufizuara dhe iu është thënë të punojnë nga shtëpitë e të mos shoqërohen me të tjerë.

Vendet ku më parë ne mblidheshim apo argëtoheshim tani janë mbyllur, nga restorantet e baret, te kafenetë, kinematë; çdo gjë është mbyllur deri në një lajmërim të dytë. Madje edhe festat fetare janë anuluar.

Kur trokitëm në derën e një dekade të re disa muaj më parë, askush nuk e priste se do të haste kufizimet më të mëdha të lirive tona që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por kjo është vetëm gjëja e dytë më befasuese.

Sigurisht, ajo çka do na kishte habitur edhe më shumë është se nëse do na kishin kallëzuar që në 1 janar se çfarë na priste, të gjithë do të ishin në favor.  

Një sondazh i publikuar nga Yougov në Mbretërinë e Bashkuar një ditë pasi u shpall shtetrrethimi në Britani tregonte se 93 për qind e popullsisë e mbështeste planin e Boris Johnson.

Sigurisht, duke pasur parasysh kërcënimin që sjell për jetën ky virus, rrezikun e grupeve më të cenuara, e duke marrë shkas nga fakti i thjeshtë se qëndrimi në shtëpi mund të shpëtojë jetë, është jo vetëm e kuptueshme dhe e duhur, por nga ana morale edhe gjëja e drejtë për t’u bërë.  

Janë të paktë ata që nuk bien dakord me shtetrrethimin, dhe shumica e atyre që janë dakord mendojnë se këta të parët duhet të gjobiten apo edhe të arrestohen nëse nuk respektojnë rregullat e reja.

Në mënyrë që të imponoheshin këto masa drakoniane, pothuajse çdo shteti i është dashur të miratojë legjislacione emergjente për të ndryshuar ligjet dhe për të kufizuar liritë që shumë prej nesh i shohin si të patjetërsueshme.

Të gjitha këto vende shprehen se këto masa janë të përkohshme dhe se do të shfuqizohen në momentin që do të kalojë kriza, por duke marrë në konsideratë mundësinë e rikthimit të virusit dhe kohën e nevojshme për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës, kjo mund të kërkojë disa vite.  

Për shumicën, këto ligje të reja kanë një afat. Disa i kanë cilësuar si “klauzolat e perëndimit” dhe që kanë nevojë të rinovohen çdo 6 muaj.

Por jo kudo. Në Hungari, deputetët do të votojnë javën e ardhshme për ligjet e emergjencës pa një afat të caktuar kohor, si dhe mund të çojnë në burg ata gazetarë që sipas qeverisë mund të jenë duke përhapur lajme të rreme.

Që më parë, Hungaria ishte nën hetim në lidhje me problemet mbi shtetin e së drejtës. Shumë hungarezë dyshojnë në pavarësinë dhe lirit e shtypit në vend dhe janë të frikësuar nga sundimi i Viktor Orban.

A do jetë i thjeshtë shfuqizimi i këtyre ligjeve? A do të rivlerësohen kur të ketë përfunduar kriza?

Dhe nuk është vetëm Hungaria, por edhe gjetkë, ku liderë autoritar po prezantojnë ligje të reja kufizuese mbi liritë e duke mbyllur kufijtë, zyrtarisht për të luftuar përhapjen e virusit, por gjithashtu sepse kriza aktuale iu ka dhënë një pushtet të cilin më parë vetëm mund ta kishin ëndërruar.

Historia na ka mësuar, se në mesin e këtyre liderëve do të ketë disa që thjesht nuk do të tërhiqen nga pushteti që kanë fituar pa luftuar për të më parë.

Ndikimi i menjëhershëm i pandemisë së coronaivrusit COVID-19 shpresojmë se do të matet brenda disa muajve, por ndikimi i krizës mbi ekonominë, qeverisjen, liritë dhe shoqërinë tonë do të mund të matet vetëm pas disa vitesh.

Dhe mund të mos jetë e gjitha për më mirë.

Qytetarët e demokracive perëndimore e dinë se sakrificave që shumica janë gati të bëjnë do iu vijë fundi dhe se jeta do të kthehet në normalitet.

Por në pjesë të tjera të botës, në disa zona të Europës, mund të jetë gdhendur një e ardhme shumë e ndryshme.

Darren McCaffrey është Redaktori Politik i Euronews, me seli në Bruksel, Belgjikë.

Lexoni gjithashtu:

Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të COVID-19, të drejtat dhe liritë që kufizohen

“Arrogantë dhe të pandjeshëm” kritika ndaj qytetarëve që injorojnë lutjet për distancim fizik

“Do t’ju kap!”, kryebashkiakët italianë humbin durimin me shkelësit e shtetrrethimit

Tregime të lidhura