Bota

Përditësimi me situatën e coronavirusit në botë, SHBA-të mund të bëhen qendra e re

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 09:44
Text size Aa Aa

Të mërkurën e 25 marsit, në të gjithë botën janë infektuar rreth 423 mijë persona nga coronavirusi COVID-19, dhe 18.923 kanë humbur jetën.

Lajmi i mirë është që personat e shëruar sa vijnë e shtohen. Në të gjithë botën janë 108.629 persona që janë shpallur të shëruar. 60.801 prej tyre janë vetëm në Hubei të Kinës, e cila ishte qendra dhe origjina e epidemisë.

Në Iran dhe Itali ka më shumë se 8000 të shëruar, ndërsa në Spanjë dhe Korenë e Jugut nga 3700.

Gjermania ka arritur të ruajë një numër të mirë të shëruarish dhe vdekjesh. Edhe pse të infektuarit janë 32.99, personat që kanë humbur jetën janë 159. Vlen të theksohet që nga të gjitha vendet në Europë, Gjermania kishte sistemin e shëndetësisë me më shumë shtretër dhe më shumë aparate frymëmarrjeje.

 SHBA-të mund të bëhen epiqendra e re, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, teksa numri i të infektuarve ka arritur 55 mijë, e sa vjen dhe i afrohet numrit të Italisë, e cila, bashkë me Spanjën dhe Francën, e bën Europën qendrën qendrën e pandemisë për momentin.

Margaret Harris, zëdhënësja e OBSH-së, tha se në 24 orët e fundit, 85% e rasteve me të infektuar që janë verifikuar në të gjithë botën vijnë nga SHBA-të, gjysma e tyre në Nju Jork.

Presidenti Trump tha se Amerika do t’i rikthehet veprimtarive normale para pashkëve, me 12 prill. “Është mëse e mundur”, tha ai në një intervistë për kanalin amerikan, Fox News.

Qeveria amerikane, ndërkohë, ka ofruar një shifër që është rekord historik, 2 trilionë dollarë për të përballuar problemet ekonomike të shkaktuar nga pandemia. BE-ja, e cila ka më shumë banorë, ka ofruar 750 miliardë euro.

Italia tani numëron 69.176 të infektuar dhe 6820 të vdekur, duke u renditur e para në botë për vdekje. Edhe pse të hënën numri i të vdekurve pati një rënie, duke shkuar në 601 për 24 orë, dje u pa sërish një numër i lartë, rreth 743.

Spanja renditet menjëherë pas Italisë për sa i përket të vdekurve, me 2991 në total, gati duke arritur Kinën e cila ka rreth 3200 të vdekur, prej ku buroi dhe sëmundja.

Irani po ashtu vazhdon të numërojë shumë të vdekur, 1934 deri tani, ndërkohë që të infektuarit janë 24.811.

Franca është një tjetër vend europian që ka parë një rritje tragjike të numrit të personave të vdekur, duke numëruar 1100 viktima deri tani, ndërkohë që të infektuarit janë 22.635.

Edhe në Britani, ku kryeministri anglez ka vetëm pak ditë që urdhëroi mbylljen e veprimtarive, numri i viktimave ka arritur 422, ndërsa të infektuarit janë 8164. Britania ka përqindjen më të lartë të viktimave në raport me numrin në total të të infektuarve.

Në Londër ka nisur ndërtimi i një spitali të përkohshëm, i cili do të ngrihet me ndihmën e ushtrisë dhe mjekëve. Masa të ngjashme janë marrë në Francë e në Spanjë.

Në Paris, ushtria ka ngritur tenda spitalore me njësi të kujdesit intensiv. Në Madrid, autoritetet përdorën një sallë konferencash për shtretër, ndërsa një stadium patinazhi në akull e kanë kthyer në morg.

Ministri britanik i shëndetësisë tha se më shumë se 11 mijë ish-mjekë e infermierë kanë dalë vullnetarë që të rikthehen në punë, pasi kanë dalë në pension, ndërkohë që vendi shënon numrin më të lartë të vdekjeve në ditët e fundit.

Shkencëtarët në Francë kanë deklaruar se kufizimet e qarkullimit mund të nevojiten edhe për gjashtë javë në total, duke nisur që tani, kohë që do t’i shtohej dy javëve të caktuara tashmë.

Përveçse ka shkaktuar një rënie të ndjeshme në ekonomitë e çdo vendi, COVID-19 ka bërë që të anulohen shumë evenimente sportive të vitit 2020, që nga Euro 2020, Copa America, e deri te lojërat olimpike të Tokios.

Tregime të lidhura