Bota

Coronavirusi, përditësim i situatës botërore. Spanja, më shumë të vdekur në 24 orë se Italia

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 08:39
Text size Aa Aa

Spanja e ka zgjatur me dy javë gjendjen e emergjencës teksa qeveria përpiqet të frenojë përhapjen e coronavirusit, që ka nisur të lërë një numër të lartë të vdekurish.

Për sa i përket numrit në total të të vdekurve, veç Italisë për vdekje ditore, për numër vdekjesh në total Spanja ia ka kaluar edhe Kinës, duke regjistruar 3647 të vdekur. Numri i të infektuarve është 49.515.

Të mërkurën e 25 marsit, Spanja shënoi 738 vdekje brenda 24 orësh, ndërsa Italia 683. Të dy vendet kanë tani vdekshmërinë më të lartë në botë nga pandemia.

SHBA-të dhe Franca u janë shtuar vendeve me më shumë se 1000 të vdekur, dhe numri i të infektuarve është rritur shumë sidomos në SHBA, me një total prej 69.197 personash.

Franca ka 25.600 të infektuar dhe 1331 të vdekur, gjë që e bëri presidentin e vendit, Emanuel Makron, të paraqesë një ligj që vë në zbatim  “ekonominë e luftës”, teksa i gjithë kombi vazhdon të qëndrojë i mbyllur prej një jave e shkencëtarët bëjnë thirrje që kufizimet të vazhdojnë për gjashtë javë.

Sot, më 26 mars, të infektuarit në të gjithë botën janë duke iu afruar numrin 500.000, ndërsa të vdekurit e regjistruar janë 21.308.

Lajmi i mirë është se edhe të shëruarit vazhdojnë të shtohen, me një total prej 114.870, gjysma e të cilëve janë në Kinë.

Irani vazhdon të ketë një numër të lartë të të vdekurish, duke regjistruar tani 2077 në total, me 27.017 të infektuar.

Në Britaninë e Madhe, numri i vdekjeve vazhdon të mbetet i lartë në raport me të infektuarit. Edhe pse kanë numëruar vetëm 9640 të infektuar, të vdekurit janë 466, mes tyre edhe zv/ambasadori britanik në Hungari. Infeksioni nuk ka kursyer as familjen mbretërore, pasi vetë Princi Charles ka rezultuar pozitiv.

Në SHBA është miratuar plani me 2 trilionë dollarë për të ndihmuar ekonominë e vendit, teksa qendrat industriale, si Nju Jorku e Los Anxhelosi, u kanë kërkuar banorëve që të mos dalin nga shtëpitë teksa shifrat e të infektuarve rriten me shpejtësi të madhe. SHBA-të priten që shumë shpejt të jenë qendra botërore e pandemisë.

Drejtori i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ngre alarmin se coronavirusi kërcënon të gjithë njerëzimin. Ai thotë se vendet duhet të bashkëpunojnë për ta luftuar virusin edhe në vendet e varfra, ku të infektuarit e të vdekurit mund të shkojnë në miliona, nëse nuk tregohet solidaritet dhe bashkëpunim nga e gjithë bota.

OKB ka nisur një plan me 2 miliardë dollarë për të krijuar një përgjigje humanitare në vendet e varfra, por Guterres bën thirrje se për këtë duhen triliona, ndaj u kërkon vendeve të shfaqein solidaritet.

Për sa i përket ekonomisë, agjencia e vlerësimeve “Moody’s” parashikon recesion për 20 vendet më të industrializuara, ndërkohë që tregjet e bursës vazhdojnë të kenë shifra negative.

Kjo vjen si pasojë e faktit që pothuajse gjysma e popullsisë së botës ka marrë masa shtrënguese me qarkullimin e njerëzve, për të shmangur përhapjen e virusit.

Dje nisi kufizimi i qarkullimit për 1.3 miliardë njerëz në Indi, ndërkohë që në Europë e SHBA vazhdojnë të zbatohen kufizime të rrepta, duke mos lejuar hapjen e biznesve jo-jetike, duke mbajtur shkollat mbyllur e duke ndaluar daljen e personave nga shtëpia pa ndonjë arsye të rëndësishme.

Në Rusi, ku vëmendja ndaj virusit ka qenë më e vogël, presidenti Putin ka kryer modifikime tepër të rëndësishme në kushtetutë të cilat do ta lejojnë të qëndrojë në pushtet për më shumë kohë.

Të infektuarit në Rusi kanë qenë 600 deri tani dhe të vdekurit tre, por shumë mjekë vënë në diskutim realitetin e shifrave, duke qenë se vendi është në një kohë të rëndësishme ndryshimesh politike.

Tregime të lidhura