Bota

COVID-19, ''rave party'' me distancim social

Përditësimi i fundit: 11/05/2020 - 11:52
Text size Aa Aa

Me klubet e natës të mbyllura që prej mesit të marsit, për shkak të masave kufizuese kundër COVID-19, me qindra gjermanë u mblodhën në një parking që të shijojnë një koncert “rave” pa dalë nga makinat, duke respektuar kështu distancimin social.

Automjetet u parkuan përpara skenës së DJ-it, dhe nuk lejohej që të ishin më shumë se dy persona në makinë.

Megjithatë, të rinjtë gjermanë nuk e lanë pa shijuar momentin. Të pajisur me drita laser, shkopinj me dritë dhe plot energji, ata e ndoqën ritmin e muzikës nëpërmjet borive dhe dritave të makinave.

Organizatori Holger Boesch tha se atmosfera që u krijua ishte ndoshta edhe më e mirë se në klubet e natës, pasi njerëzit kishin kaq javë që u mungonte diçka e tillë.

Gjermania renditet e pesta në botë për numër të infektuarish, pas SHBA-ve, Spanjës, italisë e Francës, por ka më pak të vdekur se Britania e vende të tjera që kanë më pak të infektuar, falë menaxhimit të situatës në kohën e duhur.

Megjithatë, në ditët e fundit Gjermania pati 147 të vdekur, një shifër mjaft tragjike, që e çoi totalin në 7369.  

Tregime të lidhura