Bota

Greqia gati për sezonin veror, në 15 qershor hapen hotelet

Përditësimi i fundit: 21/05/2020 - 11:11
Text size Aa Aa

Greqia do të ulë taksën e vlerës së shtuar për biletat e transportit, kafenë dhe të tjera pije, një përpjekje kjo për të ringjallur sektorin e turizmit dhe ekonominë. Sezoni i turizmit veror do të duhet të kishte nisur në prill.

"Në prill dhe maj turizmi ishte në pikën e tij më të ulët, kështu që çfarëdo që të arrijmë këtë vit do të jetë një fitim dhe do ta them sërish,përparësia jonë është të mbrojmë vendet e punës, dhe të ndihmojmë profesionistë në  këtë sektor të përgatiten  për vitin 2021 ", u shpreh kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një dalje televizive.

Kryeministri bëri me dije se hotelet sezonale do të hapen më 15 qershor dhe fluturimet e drejtpërdrejta për në Greqi do të rifillojnë më 1 korrik.

"Sezoni i turizmit do të fillojë më 15 qershor, datë kur hotelet sezonale do të jenë në gjendje të hapen. Dhe gradualisht nga 1 korriku do të fillojnë fluturimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare drejt destinacioneve të turizmit. Do të ketë testime të thjeshta për vizitorët, do të ndiqen protokollet e shëndetit dhe të higjenës të cilat nuk do të mbulojnë me hije as diellin tonë të shndritshëm e as bukurinë natyrore të Greqisë” shtoi kreu i qeverisë.

Greqia, e cila doli nga ndihma ndërkombëtare ne vitin 2018 pas një krize të gjatë borxhesh, e mbështetet ekonominë e saj në turizëm. Më shumë se 30 milion vizituan vendin vitin e kaluar.Gjermania, Izraeli, Qipro dhe Bullgaria janë ndër vendet e para që Greqia dëshiron të rivendosë linjat e transportit sa më shpejt.

Pas gati dy muajsh izolimi avioni i parë i Lufthansa-s nga Gjermania mbërriti në Greqi pak ditë më parë .

Të ardhurit i nënshtrohen një karantine dy javore.

Deri më tani, shteti fqinj arriti të mbajë nën kontroll përhapjen e infeksioneve në vetëm 2,850 raste dhe 166 viktima - nivele të ulëta krahasuar me vendet e tjera të BE-së.

Tregime të lidhura