Bota

Nuk ka qetësi në Spanjë, në protestë me enë kuzhine

Përditësimi i fundit: 21/05/2020 - 09:52
Text size Aa Aa

Spanja është një nga shtetet më të prekura nga coronavirus, por edhe në fazën dy, atë të rimëkëmbjes nga pandemia situata në vend nuk është aspak e qetë.

Protestues të shumtë të mbuluar me flamurin spanjoll dolën në rrugët e Madrid për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë të cilën e akuzojnë për keqmenaxhim të krizës të shkaktuar nga pandemia.

Qytetarët të cilët dolën në rrugë mbanin në duar enë, një formë proteste ndaj dëmtimit të ekonomisë dhe kufizimeve të ashpra sociale.

“Protestoj kundër qeverisë, për shkak të gënjeshtrave, mashtrimeve dhe joqeverisjes që po përjeton Spanja. Ata e kanë çuar politikën në nivelin e saj më të ulët” shprehet një protestues.

“Situata në Spanjë është përkeqësuar, dhe do të shkojë edhe më keq sepse  e vetmja gjë që ka bërë qeveria është se ka krijuar një klimë indinjate dhe konfrontimesh, por duket se kësaj qeverie nuk i  intereson asgjë” thotë një qytetar.

Koalicioni i brishtë i majtë i kryeministrit Sanchez fitoi mbështetje ne parlament për të zgjatur  gjendjen e jashtëzakonshme edhe me dy javë të tjera çka duket se nuk po mirëpritet nga qytetarët.

Ndërsa  autoriteti rajonal i Madridit është duke apeluar në Gjykatën Supreme të Spanjës mbi refuzimin e qeverisë spanjolle për të lehtësuar izolimin e saj.

Madridi është një nga qytetet më të prekur nga coronavirus  me rreth 67.000 të infektuar nga 232.000 që janë në total në të gjithë vendin.

Pakënaqësia e zhgënjimi vijon të shtohet ndërsa Banka e Spanjës parashikon që ekonomia e varur nga turizmi të tkurret deri në 12.4% në vitin 2020.