Bota

Vjedhje me aparatet e frymëmarrjes, shkarkohet ministri i shëndetësisë në Bolivi

Përditësimi i fundit: 21/05/2020 - 12:07
Text size Aa Aa

Ministri i Shëndetësisë në Bolivi u shkarkua nga detyra për korrupsion, pasi prokurorët hetuan dhe arritën në përfundimin se pajisjet e frymëmarrjes për pacientët e COVID-19 ishin blerë me çmim shumë të shtrenjtë, me paratë e marra nga Banka Amerikane e Zhvillimit.

Lajmi se pajisjet ishin blerë me nga 27.683 dollarë secila krijuan debate të ashpra në vendin latino-amerikan.

Prokuroria e përgjithshme e Bolivisë deklaroi se janë arrestuar katër zyrtarë të lartë të ministrisë së shëndetësisë, si dhe ndërmjetës në vende të tjera që kanë qenë pjesë e procedurave të blerjes.

Presidentja e vendi, Jeanine Anez, tha në një deklaratë për shtyp:

“Si ka mundësi që dikush përpiqet të vjedhë popullin në mes të kësaj krize që po kalojmë? Do të marr tri angazhime këtu, përpara jush: të punojmë që të rikthehet çdo qindarkë e vjedhur, të përdorim të gjithë fuqinë e ligjit kundër atyre që kanë kryer akte korrupsioni, si dhe kam udhëzuar hetuesit që t’i shkojnë çështjes deri në fund, pavarësisht se kush dënohet”, tha ajo.

Vetë ministri u ndalua nga policia ditën e mërkurë në lidhje me rastin, dhe më pas u shkarkua nga detyra.

Pajisjet janë blerë me paratë e një fondi 82 milion eurosh, të caktuara për luftën kundër COVID-19.

Tregime të lidhura