Bota

Mbretëria e Bashkuar shkel premtimin për të mos vënë postblloqe me Irlandën e Veriut

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 08:54
Text size Aa Aa

Qeveria britanike është tërhequr nga premtimi për të shmangur vendosjen e postblloqeve doganore për tregtinë në Detin Irandez.

Ministri Michael Gove tha se pasi të ketë mbaruar periudha e tranzicionit të Brexit-it, në fund të vitit, do të vendosen pika kontrolli për mallrat.

Megjithatë, nuk do të ketë tarifa për mallrat që lëvizin brenda territorit të Mbretërisë së Bashkuar, dhe rritje do të kenë vetëm mallrat e destinuara për në Irlandë ose për pjesën tjetër të BE-së.

Mbretëria e Bashkuar doli nga BE-ja në janar dhe ka kohë deri në fund të këtij viti që të arrijnë një marrëveshje të re tregtare me BE-në.

E ardhmja e kufirit midis Irlandës së Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe e Irlandës, e cila është pjesë e BE-së, ka qenë gjithnjë një detaj kyç në bisedimet për Brexit.

Të dy palët donin që kufiri të mbahej hapur dhe të vazhdonte këmbimi tregtar, në mënyrë që të parandalohen tensione të reja të mundshme në ishull, pas disa dekadash me dhunë politike dhe përpjekje për ndarje.

Para se të zgjidhej kryeministër, Boris Johnson premtoi se bizneset e Irlandës së Veriut nuk do të kishin kufij tregtarë në Detin irlandez, dhe as deklarime doganore.

“Nuk do të ketë formularë, kontrolle apo pengesa të asnjë lloji. Keni liri të plotë kalimi”, tha Johnson në nëntor.

Por propozimi i fundit thotë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të ngrejë infrastrukturë doganore në kufijtë me Irlandën e Veriut, por pika kontrollesh për një sërë mallrash që do të futen në provincë.

Po ashtu, propozimi cilësonte se nuk do të vendosë tarifa mbi mallrat që kalojnë nga Mbretëria e Bashkuar në Irlandën e Veriut.